Aktualitet

Harta e re gjyqësore, më 1 maj “shkrihen” 9 gjykata e prokurori

Pas dy vendimeve gjyqësore në Polin e Drejtësisë, këtë të hënë në datën 1 maj, hyn në fuqi shkrirja e 9 gjykatave dhe 9 prokurorive. Ky plan po ndiqet në zbatim të hartës së re gjyqësore, ku pretendohet drejtësi efikase dhe në kohë për qytetarët.

Gjykatat e Shkallës së Parë që mbyllen janë ajo e Tropojës, Matit, Kurbinit, Pukës, Krujës , Kavajës, Lushnjës, Përmetit edhe Pogradecit. Sipas Këshillit të lartë të prokurorisë së bashku me to shkrihen edhe prokuroritë përkatëse të këtyre rretheve gjyqësore, që ka sjellë dërgimin e trupave gjyqësore dhe përfaqësuesve të akuzës në institucionet e reja të drejtësisë.

Konkretisht gjykata dhe prokuroria e Tropojës zhvendoset në Kukës, e Matit në Dibër, e Kurbinit në Lezhë, e Pukës në Shkodër, e Krujës në Tiranë, Kavaja i bashkangjitet gjykatës së Durrësit.

Gjykimet dhe hetimet e çështjeve të Lushnjës kalojnë në Fier, të Përmetit transferohen në Gjirokastër dhe dosjet gjyqësore dhe hetimore penale dhe civile nga Pogradeci në Korçë.

Poli i Drejtësisë ka vendosur që në çdo prokurori dhe gjykatë të mbyllur do të mbahen hapur sportelet për të depozituar paditë që sidoqoftë më pas delegohen për gjykim dhe hetim në qytetet e mësipërme.

Gjatë fazës së parë të aplikuar në muajin shkurt u mbyllën të gjashtë gjykatat e apelit në vend, të cilat u mblodhën në kryeqytet në gjykatën e apelit të juridiksionit të përgjithshëm

Faza e tretë hyn në fuqi në një korrik të këtij viti dhe parashikohet reduktimi i të gjitha gjykata administrative në dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë. Se sa efektive do të jetë drejtësia këtë do ta tregojë koha.

Mbetet fakt që të gjitha gjykatat janë mbuluar nga stoku i dosjeve që presin të gjykohen.