Aktualitet

Harta gjyqësore, KLGJ jep sqarime/Opozita kujton se ndërkombëtarët u paralajmëruan!

Mungesa e gjyqtarëve dhe kriteret ligjore janë arsyet që detyruan Këshillin e Lartë Gjyqësor të vendosë shkrirje të gjykatave ndërsa për shkak të hartës së re gjyqësore, avokatët po bojkotojnë seancat, për të dytën ditë. Kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami ishte sot në Komisionin e Ligjeve për të prezantuar raportin vjetor të institucionit që drejton.

Ata që kanë punë me gjykatat, e dinë se disa gjykata ishin me 4 gjyqtarë, që nuk kapnin kriterin ligjor. Edhe ato me 5 nuk e kapnin, se duhen 7 gjyqtarë në Shkallën e Parë.

Shqetësimin për gjykatën e Apelit Administrativ, e kemi të gjithë. Kemi kërkuar rritje të numrit të gjyqtarëve. Që kur filloi ligji për implementimin, tregoi se u kalua një çështje që nuk ishte e kësaj gjykate. Thelbi i krijimit të gjykatave ka lidhje me çështjet e reja që vijnë në çdo gjykatë, sa prurje ka. Po të shohim statistikat e Tiranës që është më e madhja, është një nga gjykatat më efektive. Edhe gjykimi i specializuar nuk dështon. Nuk mund të specializojmë gjyqtarë në gjykata të vogla. Nuk mund të jetë efektive!

Deputeti socialist, Damian Gjiknuri tha se “harta e re gjyqësore ka respektuar rekomandimet e Kuvendit”, ndërsa shtoi se “harta e re ka më shumë anë pozitive se negative”. Sipas tij, “mund të sjellë kosto shtesë për disa persona, por këto mund të korrigjohen në të ardhmen”. Po ashtu, nënvizoi se harta e re do t’i shërbejë reduktimit të çështjeve dhe menaxhimit të fluksit të konflikteve që evidentohen.

Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi u shpreh:

Eshtë halli se sot nuk ka gjyqtarë. Sistemi i drejtësisë nuk jep shërbim, është një qasje e gabuar, drejtësia jepet në çdo cep të republikës, qasja e KLGJ-së se këtu do e heqim gjykatën dhe këtu do e mbajmë, nuk është drejtësi! Do të doja të shihja këtu partnerët tanë, që t’i themi sot se kjo është ajo që ne iu kemi thënë 6 vite më parë, po ndodh.