Bota

Helmimet në shkolla, mbi 100 të arrestuar në Iran!

Mbi 100 persona janë arrestuar në Iran për helmimet misterioze të mijëra nxënëseve nëpër shkolla, me akuzën se autorët e paidentifikuar mund të kenë lidhje me grupe “armiqësore”.

Incidenti i parë besohet të ketë ndodhur në nëntor, kur 18 nxënëse në qytetin e Qom u dërguan në një spital pasi u ankuan për simptoma si dhimbje koke, kollë, vështirësi në frymëmarrje, rrahje zemre dhe mpirje të duarve dhe këmbëve. Më pas, dyshimet për helmime u shtrinë në më shumë se 200 shkolla në gjithë Iranin, ngjarje kjo që ka ngjallur frikë dhe zemërim tek nxënësit dhe prindërit.

“Më shumë se 100 persona – përgjegjës për incidentet e fundit u identifikuan, u arrestuan dhe u hetuan”, tha Ministria e Arsimit në një deklaratë të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA.

“Në mesin e të arrestuarve ka persona me motive armiqësore, me qëllim futjen e terrorit në popull dhe mbylljen e shkollave”, thuhet në deklaratë.

Ministria shtoi se “fatmirësisht që nga mesi i javës së kaluar e deri më sot numri i incidenteve nëpër shkolla është ulur ndjeshëm dhe nuk ka raportime për nxënës të sëmurë”. Më shumë se 5.000 nxënës në rreth 230 shkolla janë helmuar në 25 nga 31 provincat e Iranit, tha raporti i fundit zyrtar.

Disa politikanë thonë se ato mund të ishin shënjestruar nga grupet fetare që kundërshtojnë arsimimin e vajzave. Deklarata vuri në dukje lidhjet e mundshme me një grup opozitar iranian në mërgim me bazë në Shqipëri.

“Hetimi i këtyre personave kriminalë, duke përfshirë zbulimin e lidhjes së tyre të mundshme me organizatat terroriste, si MEK dhe të tjera, është në vazhdim”, raporton IRNA.

Një grupi iranianësh u strehuan në kampin e Manzës në Shqipëri, me rreth 3.000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët iranianë i konsiderojnë pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë.

Shahin Gobadi, zëdhënësi i MEK-ut me bazë në Paris, tha se akuzat janë “një shfaqje qesharake për të mbuluar rolin e institucioneve nën komandën e [liderit suprem iranian, Ayatollah Ali] Khameneit në këtë krim të madh” dhe i kërkoi Teheranit që të pranonte një hetim ndërkombëtar për këtë ngjarje.

“Krimi i helmimit të mijëra nxënësve… nuk është vepër e askujt, përveç e regjimit dhe aparatit të tij” tha ai.

Përgjigja e ngadaltë e autoriteteve ka bërë që disa ta akuzojnë Qeverinë e Iranit për “helmimin” e qëllimshëm të studenteve, të cilët kanë qenë në ballë të protestave të fundit antiqeveritare – kërcënimi më i madh për udhëheqjen islamike që nga revolucioni i vitit 1979.

Irani është tronditur nga trazirat që nga vdekja më 16 shtator e 22-vjeçares, Mahsa Amini, e cila vdiç teksa ishte në paraburgim, e arrestuar nga Policia për veshjen e hixhabit ose shamisë së kokës në mënyrë të pahijshme.