Aktualitet

Helmimi i 600 personave nga uji i pijshëm në Krujë, Apeli i Tiranës lë në fuqi pezullimin për 2 zyrtarë të ujëslljellësit dhe shefin e epidemiologjisë

Gjykata e Apelit Tiranë la në fuqi pezullimin nga detyra të  dy zyrtarëve të Ujësjellësit në Krujë dhe shefin e shërbimit të Epidemiologjisë në njësinë vendore të  Krujës, të akuzuar për “Shpërdorim detyre” me pasojë helmimin e dhjetëra qytetarëve të Krujës.

Sipas Prokurorisë, Ledio Çela, Andi Kupa dhe Ervin Karafili, me veprimet dhe mosveprimet e tyre kane lejuar ndotjen e ujit të pijshëm.

Të tre këta persona dyshohen se janë përgjegjës për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i Detyrës” që me veprimet e tyre kanë lejuar ndotjen e ujit të pijshëm dhe dëmtimin e shëndetit të qytetarëve të Krujës.

Mbi 600 persona përfunduan në spital në Krujë me dhimbje barku, dhimbje koke e temperaturë, për shkak të kontaminimit të ujit të pijshëm.

Katër ditë pas regjistrimit të rasteve të helmimit, Instituti i Shëndetit Publik bëri me dije se në ujë është gjetur bakteri ” Enterokokus”.

Për helmimin e mbi 600 persona nëndrejtori i ISHP-së, Dritan Ulqinaku bëri përgjegjës Ujësjellësin e që sipas tij duhet të kishte reaguar më shpejt, teksa nuk hezitoi që ta quante këtë situatë një epidemi hidrike.