Rajoni

Helmimi i dyshuar në Deçan, bie fluksi i pacientëve!

Ulet fluksi i personave nga Deçani që kërkojnë ndihmë mjekësore lidhur me helmimin misterioz që i bëri të shfaqnin shenja të tilla si të vjella, diarre e marrje mendsh.

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia vizitoi Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë nga ku tha se “autoritetet janë në pritje të disa rezultateve shtesë, për të kuptuar shkaqet”.

Një pjesë ka dalë dhe të tjera po i presim pasi kërkojnë kohë! Mostra të ndryshme do të dërgohen jashtë vendit për analiza më specifike.

Helmimi masiv në Deçan që u evidentua të shtunën e kaluar në shumë fshatra, bëri që kjo komunë të shpallë gjendjen emergjente. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Shëndetësisë, mbi 1 mijë e 500 persona kërkuan ndihmë.

Në fillimjavë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi se në dy mostra të testuara të ujit u gjet prani e dyshuar bakteresh. Por përsëri nuk ka një arsye.

Ndërkaq, ujësjellësi rajonal “Hidrodrini” doli sot me një deklaratë:

Analizat fiziko-kimike si dhe ato bakterologjike kanë dalë në kufijtë e lejuar, në bazë të standardeve të Bashkimit Europian!

Po ashtu po kërkohet të testohen edhe disa mostra të ujit nga puset e banorëve.