Rajoni

Helmimi i mbi 1.500 mijë qytetarëve, Deçani shpall gjendjen e jashtëzakonshme!

Helmimi i banorëve në Deçan ka bërë që kjo komunë e Kosovës të shpallë gjendjen emergjente. Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të Ujësjellësit “Hidrodrini”.

Fluksi i pacientëve me simptoma të helmimit të tilla si të vjella, diarre e marrje mendsh, vijon i madh sipas Drejtorit të Shëndetësisë në Deçan, Musa Berisha:

Fatkeqësisht, gjeografia e terrenit ka ndryshuar e nuk bëhet fjalë vetëm për 11 fshatra por edhe të tjerë! Mes tyre janë Prejlep, Rastavicë, Irzniç, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoç, Ratishë e Jasiç i Ri.

Nga e shtuna e datës 10 korrik e deri më sot kanë kërkuar ndihmë mbi 1.500 mijë pacientë, dy prej të cilëve ndërruan jetë. Nga analizat e ujit të kryera nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u gjetën baktere por ende mbetet të konfirmohet shkaku i saktë, çka kërkon të tjera testime laboratorike.

Prokuroria e Pejës nisi hetimet ndërsa Ministria e Shëndetësisë iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Deçanit, të mos konsumojnë ujin nga “Hidrodrini” derisa të përcaktohet shkaku.

Vetë banorët kanë vënë re se në rubineta, uji nuk rrjedh i pastër por duket i turbullt.

Në një konferencë shtypi, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se janë duke bërë përpjekje maksimale për gjetjen e shkaqeve të këtij helmimi dhe deri më tani të gjitha dyshimet janë vetëm hipoteza. Ka dyshime për një skenar të qëllimshëm por Ramosaj nuk dha më shumë informacione mbi to e nënvizoi se për t’i zbardhur duhet të merren organet e Drejtësisë.