Aktualitet

Hepatiti akut shqetëson botën, ja çfarë duhet të kenë parasysh prindërit!

Hepatiti misterioz që shfaqet tek fëmijët 1 deri ne 16 vjeç ka alarmuar mjekët infeksionist dhe ata pediatër në të gjithë botën.

Ne Kongresin Europian te sëmundjeve infektive ne Lisbonë, është mbajtur një seancë emergjente në lidhje me këtë sëmundje, ku i pranishëm është  mjeku infeksionist, Prof. Arjan Harxhi, i cili shpjegon se fëmijët rrezikojnë deri në transplant të mëlçisë.

Mungesa e oreksit, përgjumja dhe te vjellat janë simptomat e para qe duhet të shqetësojnë prindin, për t’u lidhur menjeherë me mjekun pediatër.

Ende nuk ka të dhëna se si përhapet hepatiti akut  ndërkohë qe dhe per shkaktarin ka vetëm hipoteza shpjegon prof. Harxhi.

Britania e Madhe duket e prekur në mënyrë të veçantë, me të paktën 114 raste të njoftuara deri tani. Po çfarë dihet deri më tani për këtë hepatit të mistershëm? Fakti që testet laboratorike kanë përjashtuar viruset e hepatitit të tipit A, B, C, D dhe E si shkaktarë të inflamacionit në mëlçinë e pacientëve, dhe kjo po i intrigron shumë ekspertët.

Për momentin, hipotezat kryesore janë ato të një inflamacioni të shkaktuar si pasojë e një infektimi të mëparshëm me Sars Cov 2 apo nga ndonjë adenovirus, e këtu janë përqendruar për momentin verifikimet. Në 5 prill, OBSH-ja u njoftua për dhjetë raste hepatitis me shkaqe të panjohura në Skocinë qendrore. Simptomat e raportuara ishin verdhëz, diarre, të vjella dhe dhimbje barku, që rezultuan më pas me shtrimin e fëmijëve në spital.

Tre ditë më vonë, 64 fëmijë të tjerë u diagnostikuan në pjesë të tjera të Mbretërisë së Bashkuar. Gjashtë prej tyre kaluan në gjendje të rëndë dhe iu desh t’i nënshtroheshin transplanteve të mëlçisë. Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve thotë se tashmë, edhe në Danimarkë, Irlandë, Holandë e Spanjë janë regjistruar episode të ngjashme ndërsa 9 të mitur u diganostikuan me këtë sëmundje në Shtetet e Bashkuara.