Bota

Hepatiti akut te fëmijët, Europa e shqetësuar!

Në Europë, autoritetet shëndetësore janë të shqetësuara për hepatitin misterioz që këto muajt e fundit po shfaqet në formë akute dhe prek fëmijët, disa prej të cilëve janë detyruar t’i nënshtrohen transplantit të mëlçisë. Pas shfaqjes së njëpasnjëshme të rasteve me hepatit akut në Europë, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izrael e Japoni, Autoriteti Shëndetësor i Bashkimit Europian, ECDC shprehet i shqetësuar.

“Për arsye se nuk ka një shkaktar të njohur të sëmundjes, bëhet fjalë për një zhvillim shëndetësor shqetësues”, – thuhet në një komunikatë të ECDC-së.

Deri të enjten e kaluar, më 28 prill, ishin regjistruar 191 raste të tilla, më shumë se 100 prej tyre në Britaninë e Madhe. Javën e kaluar, Instituti “Robert Koch” në Gjermani raportoi për rastin e parë me hepatit akut në këtë vend, ndërsa një konfirmim erdhi dje edhe nga Greqia, vend fqinj me Shqipërinë.

Sipas Autoritetit Shëndetësor të BE-së, “rreziku për fëmijët në Europë nuk mund të vlerësohet me saktësi”, por për shkak se më së shumti, format e hepatitit çojnë në probleme të mëlçisë dhe kërkojnë transplantim të këtij organi, rreziku për të vegjlit konsiderohet “i lartë”.

Shtrohet pyetja nëse adenovirusi vlerësohet si shkaktar?

Më së shumti, të prekur janë fëmijët nën 10-vjeç dhe rastet më të shpeshta po konstatohen te të miturit nën 5-vjeç. Vlen të theksohet se shumica e këtyre fëmijëve nuk kanë patur probleme shëndetësore më parë, nuk kanë vuajtur nga sëmundje kronike. Sa i përket simptomave të para, raportohen dhimbje barku, diarre, të vjella dhe verdhëza.

Hepatiti është sëmundje e mëlçisë, që shfaqet shumë rrallë tek fëmijët e shëndetshëm. Ekspertët e përjashtojnë një lidhje me vaksinën kundër koronavirusit, kjo pasi shumica e fëmijëve të prekur nuk kanë qenë të vaksinuar. Sipas ECDC-së si “tezë paraprake” shqyrtohet një lidhje e mundshme me adenoviruset, të cilët janë viruse mjaft të përhapur të gripit dhe që në raste normale shkaktojnë vetëm formë të lehtë të sëmundjes.