Sociale

Hepatiti akut te fëmijët, Komiteti i Ekspertëve: Shenjat në traktin tretës, por edhe diarre e zverdhje lëkure

Mjekja Silva Bino ka bërë me dije se deri më tani nuk ka të dhëna për prezencën e hepatitit në vendin tonë, pavarësisht se është ngritur gjendja e alertit.

Gjatë konferencës së Komitetit Teknik të Ekspertëve kundër pandemisë, Bino tha se ISHP është në gjendje që të identifikojë këtë virus.

“Ne kemi marr njoftimin për hepatitin, nuk kemi të dhëna në vendin tonë, natyrisht rastet më të shumta janë në MB dhe SHBA. Kemi ngritur vëmendjen, kemi ngrit alertin. Deri tani asnjë shenjë shqetësuese. ISHP është në gjendje të bëjë identifikimin e adenovirusit. Nëse ka turbullira të traktit tretës dhe nuk qetësohen, të drejtohen te mjeku i familjes për të mos na shpëtuar ndonjë rast dhe për të dhënë ndihmën e nevojshme. Kemi vënë re çrregullim të mëlçisë në kuadër të Covid, por të gjitha rastet janë trajtuar. Jemi vigjilent”.

Shefja e Pediatrisë Infektive në QSUT, Gjeorgjina Kule tregoi në mënyrë më specifike shenjat për të cilat prindërit duhet të shqetësohen.

“Shenjat lidhen me traktin tretës, të vjella, diarre, këputje dhe zverdhje të lëkurës. Nëse ka turbullira të traktit tretës dhe nuk qetësohen, të drejtohen te mjeku i familjes për të mos na shpëtuar ndonjë rast dhe për të dhënë ndihmën e nevojshme. Kemi vënë re çrregullim të mëlçisë në kuadër të COVID, por të gjitha rastet janë trajtuar” u shpreh Kule.