Bota

Hepatiti misterioz te fëmijët, rritet numri i rasteve dhe zgjerohet harta me Azinë e Kanadanë!

Tashmë, ka shkuar në 190 numri i fëmijëve tek të cilët është zbuluar virusi i hepatitit akut e të rëndë me shkaktarë të panjohur, që më së shumti qarkullon në Britaninë e Madhe dhe më pas u has në 12 vende, brenda një kohe të shkurtër.

Në një konferencë për media, Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), informoi se javët e fundit, shifrat janë në rritje. 140 nga 190 të prekur jetojnë në vende të Europës: 110 prej tyre në Britaninë e Madhe.

Infektime u evidentuan edhe në Izrael e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa sot konfirmohet se listës iu shtuan Japonia e Kanadaja. Në total, 17 të mitur u detyruan t’i nënshtrohen transplantit të mëlçisë, për shkak të sëmundjes e fatkeqësisht raportohet për një viktimë, referuar të dhënave zyrtare. Por, nuk u dha emri i vendit ku u shënua fataliteti. Të prekurit janë nga 1 muaj deri në 16-vjeç.

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, zbuluan se rastet e para në Shtetet e Bashkuara u regjistruan tetorin e kaluar, në Alabama. Në Mbretërinë e Bashkuar, janari i këtij viti përkon me muajin e identifikimit të tyre.

Ndërsa vazhdon hetimi për të hedhur dritë mbi shkaqet, bëhet e ditur se “rastet nuk janë të lidhur me njëri-tjetrin”, ndaj autoritetet botërore të shëndetit tërheqin vëmendjen se “rritja e numrit të tyre nuk është shkaktuar nga udhëtime ndërkombëtare”. Po ashtu, hidhet poshtë çdo lidhje e mundshme me vaksinat anti-COVID.

ECDC njoftoi edhe se “ende nuk është qartësuar lidhja e rasteve të hepatitit me COVID-19 ose adenovirusin”. Mes simptomave të raportuara janë verdhëza, diarreja e dhimbjet e barkut. Fillesat e sëmundjes dhe përcaktimi i shkaqeve si “misterioze”, rikthejnë në kujtesë historinë e kaluar me COVID-19/ën, të evidentuar fillimisht në Kinë e të kthyer më pas në pandemi, brenda një kohe të shkurtër.