Aktualitet

Hetim policëve të burgjeve për tentativën e arratisjes nga 313-ta!

Arbër Çekajt, Fatmir Pjetrit dhe Lulzim Çepeles, Gjykata e Tiranës iu konfirmoi sot izolimin për 90 ditë pas tentativës së dështuar të arratisjes nga Burgu 313 në Tiranë. Prokuroria kërkoi t’i caktohen masa shtesë arresti, në kuadër të procedimit tentativë arratisje e goditje për shkak të detyrës. Gjithashtu, po kryen hetime edhe nëse ndonjë prej policëve të burgjeve, bashkëpunoi.

Arbër Çekaj mohoi planin e arratisjes duke u shprehur se ka dalë jashtë  vetëm për ajrosje.  Përmes një letre, avokatja e tij mbrojtëse akuzoi Fatmir Pjetrin si organizator të arratisjes.

Lulzim Çepele deklaroi në gjykatë se nuk ia kishte idenë se çfarë po ndodhte me arratisjen dhe se ka tentuar vetëvrasjen për shkak të presionit.

Arbër Çekaj është dënuar me 14 vite burg për trafik droge dhe grup kriminal pasi iu kapën 613 kg kokainë, Fatmir Pjetri për grabitje me armë e dhunë dhe Lulzim Çepele, për shfrytëzim prostitucioni.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ditë më parë, plani ka nisur të vihet në zbatim me tentativën e Çepeles për të prerë damarët, për të tërhequr vëmendjen e stafit. Kur forcat e sigurisë janë angazhuar për ta shoqëruar në spital, hynë në veprim Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri, të cilët tentuan të arratisen gjatë orarit të ajrimit. Por u pikasën nga punonjësit e policisë së burgut, të cilët morën masa për kapjen dhe neutralizimin e tyre. Madje, njëri prej punonjësve u godit dhe mori ndihmë mjekësore.

Të dënuarit do të largoheshin me litar të improvizuar duke lidhur çarçafët me njëri-tjetrin. Pas ngjarjes, instancat drejtuese të burgjeve urdhëruan rivlerësimin e masave të sigurisë në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit.