Bota

Hetimet për dhunën në Kongresin Amerikan, Donald Trump: Gjykatë kangurësh!

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, sulmon sërish hetimin për dhunën e janarit 2021 në Kongresin Amerikan, duke e cilësuar “gjykatë kangurësh”. Në një deklaratë me 12-faqe, ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë shprehet se “hetimet synojnë të heqin vëmendjen e amerikanëve nga qeverisja katastrofike e demokratëve”. Komentet e tij erdhën pasi një Komitet i Kongresit mbajti dy seanca, në të cilat Trump është akuzuar për tentativë për grusht shteti, më synimin që të mbetet në pushtet.

Më 9 qershor, Komisioni Hetimor bëri të ditur se Donald Trump dhe pretendimet e tij për manipulim të zgjedhjeve ishin në qendër të asaj që përbënte një “tentativë për grusht shteti”.

Ish-presidenti republikan komplotoi për të mbajtur në mënyrë të paligjshme pushtetin.

Gjithashtu, paneli bëri të ditura hollësi edhe për ndasitë që kanë ekzistuar mes ndihmësve të Trump-it, nëse duhej pranuar humbja e tij në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit 2020 kur nuk arriti të sigurojë një tjetër mandat në krye të Shtëpisë së Bardhë, pasi u mund nga rivali demokrat, Joe Biden.

Më 6 janar të vitit të kaluar, mbështetësit e Donald Trump-it hynë forcërisht në ndërtesën e Kongresit, për të penguar certifikimin e fitores së Joe Bidenit, si President i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një hetim i ndarë penal rezultoi me më shumë se 800 arrestime, në thuajse çdo shtet amerikan. Më pas, Trump do të shprehej:

Shtatëmbëdhjetë muaj pas ngjarjeve të 6 janarit, demokratët nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje.

Komiteti i Kongresit është duke synuar të tregojë se pretendimet e Trumpit për mashtrime me vota, kanë çuar në sulmet kundër ndërtesës së Kongresit. Në pjesën më të madhe të deklaratës, Trump ka përsëritur sërish pretendimet e tij të pabazuara në prova e fakte, për mashtrime me vota në zgjedhjet presidenciale.

Prej zgjedhjeve të nëntorit të vitit 2020, disa raste për dyshime me vota janë ndjekur edhe ligjërisht, por në asnjë prej tyre nuk është vërtetuar diçka që të mos favorizojë presidentin aktual të Amerikës.