Aktualitet

Hidhet gaz lotsjellës në koncertin e Bregovic, pjesëmarrësit i kërkojnë llogari policisë!

Në koncertin e Goran Bregoviçit i ftuar në Festën e Birrës në Korçë ka ndodhur një incident. Nga persona ende i paidentifikuar është hedhur gaz lotsjellës. Shpërndarja e gazit ka bërë që të largohen disa nga spektatorët e ndodhur aty pranë.

Në një video të filmuar nga festa shihen qytetarët teksa largohen dhe fëmijë që qajnë. Policia ka shoqëruar tetë persona në lidhje me këtë incident në koncert, ndërkohë pjesëmarrësit shihen duke fërkuar sytë apo duke mbajtur shami në hundë për shkak të djegies që i shkakton gazi lotsjellës, ndërsa disa të rinj kanë shpërthyer në lot. Nuk kanë munguar edhe ata që kanë pyetur policinë duke bërtitur: “Çfarë kontrolli i keni bërë?”.

Pavarësisht kësaj situate, performanca e Bregoviç nuk është ndërprerë në asnjë moment. Më parë, u raportua se ishin marrë masa të rrepta sigurie, me mbi 200 forca policie të pranishëm. Pjesa më e madhe kishin rrethuar terminalin, ndërkohë që pjesa tjetër ishte vendosur në bulevardet kryesore të qytetit.

Që në hyrje të terminalit thuhej se kishte kontrolle të rrepta për të gjithë të interesuarit për të ndjekur performancën e këngëtarit. Kontrollet arrinin deri atje sa nuk lejohen monedha, shishe apo sende të tjera metalike, ndaj mbetet e paqartë si i ka shpëtuar policisë rasti i personit që hodhi gaz lotsjellës. Ardhja e Bregoviç në Shqipëri u përcoll me një debat të gjerë duke e konsideruar si provokim për Kosovën për shkak të lidhjeve me Serbinë të këngëtarit.