Bota

Hije skandali përgjimesh përmes teknologjisë izraelite!

Sipas një hetimi të amerikanes “Washington Post” dhe 16 mediave partnere, disa qeveri autoritare kanë përdorur teknologjinë izraelite për të spiunuar gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut, drejtorë ekzekutivë e gjithashtu dy gra të afërta me gazetarin e vrarë saudit, Jamal Khashoggi

Këtë e kanë bërë përmes programit Pegasus që shitet nga grupi izraelit “NSO” me qëllimin për t’iu lejuar qeverive të gjurmojnë terroristë e kriminelë.

Telefonat janë evidentuar në një listë me më shumë se 50.000 numra në shtete që njihen si të përfshira në vëzhgimin e qytetarëve dhe si kliente të NSO-së. Në listë nuk identifikohet se kush ka vendosur numrat në të apo arsyet se përse dhe nuk dihet sa telefona janë shënjestruar apo vëzhguar.

Numrat në listë nuk kanë pasur edhe pronarët e tyre por gazetarët kanë arritur të identifikojnë më shumë se 1.000 persona në 50 shtete përmes kërkimeve e intervistave në katër kontinente. Në mesin e tyre, disa anëtarë të familjes mbretërore saudite, të paktën 65 drejtorë biznesesh, 85 aktivistë për të drejtat e njeriut, 189 gazetarë dhe mbi 600 zyrtarë qeveritarë.

Gazetarët janë nga agjenci dhe media si France-Presse, CNN, New York Times, Al Jazeera, Zëri i Amerikës e media tjera.

Numrat e disa presidentëve dhe kryeministrave janë gjithashtu në lista. Vetë kompania NSO pohon se softueri është krijuar për përdorim kundër kriminelëve e terroristëve dhe mund të përdoret nga ushtria, agjenci për zbatimin e ligjit, si dhe të inteligjencës nga vende që respektojnë të drejtat e njeriut.

Hetimi fillestar i kryer nga organizata joqeveritare me bazë në Paris Forbidden Stories dhe organizata Amnesty International ishte i mbushur me supozime dhe teori të pavërtetuara”.

Pegasus infekton sistemet iPhone dhe Android për t’iu mundësuar operatorëve të sigurojnë mesazhe, foto dhe email, të regjistrojnë bisedat e të aktivizojnë fshehurazi mikrofonat.

Në vitin 2019, aplikacioni për mesazhe WhatsApp ka paditur kompaninë NSO duke pretenduar se qëndronte pas disa sulmeve kibernetike në 1.400 telefona celularë.
NSO-së iu ndalua shfrytëzimi i aplikacionit WhatsApp.