Rajoni

Hill: Njohja e Kosovës s’do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në BE!

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, shprehu bindjen se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Europian (BE), por normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore me të.

Në një intervistë për edicionin e sotëm të së përjavshmes NIN, Hill tha se europianët po i kërkojnë Beogradit “pikërisht atë që thonë se po kërkojnë, që është normalizimi i marrëdhënieve” dhe shtoi se BE-ja dëshiron paqe dhe siguri në rajon, natyrisht edhe mes Kosovës e Serbisë.

Mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka vende anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën, kështu që të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë, kufij që i bashkojnë realisht.

Në prill, Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian miratoi vendimin përfundimtar për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësim me Serbinë, duke e kushtëzuar pranimin e saj me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ndërkaq, theksoi se SHBA-të mbështesin synimet e Serbisë për t’u bërë anëtare e BE-së dhe po përpiqet ta ndihmojë “në këtë përpjekje, sepse është mjaft e qartë se Serbia do të jetë në Bashkimin Europian në të ardhmen”.

Hill nënvizoi se Amerika “e bëri shumë të qartë” se do të dëshironte që Serbia t’u bashkohej sanksioneve kundër Rusisë, por shtoi se Serbia “ka ndërmarrë gjithashtu disa hapa të rëndësishëm për t’ia bërë të qartë Rusisë se nuk pajtohet me agresionin që ajo po kryen kundër fqinjit të vet”.

Ne kemi një dialog shumë të mirë me Serbinë. Po, Serbia ka marrë disa masa shumë konkrete për t’ia bërë të ditur Rusisë se ajo që ka bërë në Ukrainë nuk qëndron. Herët a vonë, Rusia do të duhet të arrijë një marrëveshje paqeje e të tërhiqet nga Ukraina. Unë mendoj se ne shkojmë mirë me Serbinë.

Për marrëdhëniet SHBA-Serbi, Hill tha se “kanë një dialog shumë të mirë, edhe pse nuk pajtohen për gjithçka, për shembull për Kosovën”.

Por, ne jemi dakord për domosdoshmërinë e paqes dhe sigurisë në Europë. Unë mendoj se jemi shumë dakord për faktin se agresioni rus kundër Ukrainës duhet të ndalet. Do të doja që ne të bënim më shumë. Unë mendoj se dy kombet tona kanë shumë të përbashkëta dhe do të doja që lidhjet tona të forcohen në vitet e ardhshme.