Aktualitet Rajoni

Hiqet veto bullgare për Shkupin/Kryeministri Rama: Shumë herët për optimizëm!

Bullgaria do të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, pasi kreu i opozitës bullgare njoftoi se do të votojë në favor. Në këtë mënyrë, hapet rruga jo vetëm për vendin fqinj, por edhe Shqipërinë duke qenë se të dy shtetet ballkanike janë bashkë në procesin drejt integrimit europian e presin çeljen e negociatave të anëtarësimit.

Për çështje historike, të identitetit, si dhe gjuhësore e kombëtare, Sofja Bullgaria mbante bllokuar bisedimet e Maqedonisë së Veriut me BE-në, duke pretenduar se të drejtat e shtetasve bullgarë janë mohuar në vendin fqinj. Ndërkohë, Bashkimi Europian vendosi që sa i përket negociatave, të mos ketë ndarje të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut.

Brukseli zyrtar e përshëndeti vendimin, të cilin në një mesazh në Twitter, eurokomisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi e quan “historik”.

Falënderojmë liderin e opozitës Gerb @BoykoBorissov për marrjen e një vendimi historik për Evropën dhe për pranimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut bazuar në propozimin francez që lejon vazhdimin me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut.

Për kryeministrin Rama, është shumë herët për t’u treguar optimistë, si dhe konfirmoi pjesëmarrjen e Shqipërisë, nesër në takimin e Këshillit Europian.

Sapo dëgjova që diçka po lëviz sot në Bullgari. Shumë herët për të qenë optimist dhe shumë pak për të ndryshuar pjesën e fjalimit të nesërm ku Bullgaria kritikohet si një vend që ka rrëmbyer dy vende të NATO-s, ndërkohë që ka një luftë të nxehtë në kufirin e Europës!

Do të marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE-së. Nuk do të ketë shumë për të dëgjuar për ne, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Evropian që ne mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çon përpara frymën e Evropës e për rrëmbimin tonë nga Bullgaria që e shkatërron atë.

Në samitin e Bashkimit Europian të datave 23-24 qershor në Bruksel, krahas çështjes së statusit kandidat Ukrainës e Moldavisë, pritet të përsëritet përkushtimi i BE-së për perspektivën e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi Europian shpreh mbështetjen e plotë e pa asnjë dyshim mbi perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe bën ftesë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit. Nga ky takim, Komisionit Europian, kryediplomatit të Unionit, Borrell e Këshillit do t’iu kërkohet, të avancojnë më tej integrimin gradual mes Bashkimit Europian e rajonit, bazuar në merita.