Bota

Histori me fund të lumtur për një 71-vjeçar anglez, e shpëtojnë dy miqtë labradorë!

Një 71-vjeçar humbi ndjenjat ndërsa shëtiste me dy qentë e tij labradorë në Parkun Kombëtar të Cumbria-s në Angli. Papritur, burri u shemb në tokë në momentin kur u ndje keq, por aspak vetëm. Dy shoqëruesit me 4 këmbë morën masa. Njëri prej tyre iu shtri pranë, për ta mbajtur të ngrohtë ndërsa labradori tjetër vrapoi për të kërkuar ndihmë që fatmirësisht iu mundësua në kohë, duke e shpëtuar.

Në fakt, Labradori i cili vrapoi në kërkim të dikujt, gjeti një grua që e kuptoi se diçka nuk shkonte, ndaj vendosi ta ndjekë qenin, që ndërkohë nuk pushonte së lehuri dhe përmes vështrimit, i tregonte zonën ku qëndronte i shtrirë i moshuari. Me të mbërritur aty, kalimtarja telefonoi shërbimet e emergjencës mjekësore angleze.

71-vjeçari u dërgua në spital e tani është në gjendje të mirë shëndetësore, falë heronjve të tij. Nëse nuk do të ishte për dy labradorët, mund të kishte patur një epilog ndryshe, nisur nga fakti që bënte ftohtë për shkak të temperaturave të ulëta të stinës. Një histori prekëse, të cilën bashkëshortja e të mbijetuarit, vendosi ta bëjë publike.