Aktualitet

Holanda, investitori më i madh në Shqipëri përgjatë 9 muajve të parë të vitit!

Shqipëria ka thithur 711 milionë euro investime të huaja në 9-mujorin e këtij viti, gati, rreth 8 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Holanda, vendi ku regjistrohen shumë kompani ‘offshore’ dominon edhe listën e investimeve të huaja për këtë 9-mujor me një vlerë prej 139 milionë euro. Megjithatë, në krahasim me të njëjtën periudhë me vitin e shkuara fluksi I investimeve holandeze është ulur me rreth 38 milionë euro.

Pas saj renditet Italia si investitori i dytë më i madh me një fluks investimesh prej 103 milionë euro deri në fund të shtatorit kryesisht të përqendruara në sektorin e shërbimeve, duke regjistruar një rritje të lehtë në raport me 9-mujorin e 2020-ës.

Turqia nga ana tjetër listohet si investitori i tretë më i rëndësishëm në Shqipëri me një vlerë totale prej 63 milionë euro gjithsej investime të huaja. Megjithatë, fluksi i investimeve të huaja direkte nga Turqia ka shënuar rënie të ndjeshme me gati 24 milionë euro më pak se kundrejt të njëjtës periudhë të vitit që lamë pas.

Investimet e huaja nga Franca kanë parë thuajse një dyfishim këtë periudhë duke bërë që totali i tyre në fund të shtatorit të arrijë në 58 milionë euro, nga 29 milionë euro që ishin në 9-mujorin e 2020-ës.

Ndërsa investimet zvicerane kanë parë tkurrjen më të fortë duke zbritur në 39 milionë euro, rreth 77 milionë euro më pak se vitin e shkuar. Kjo rënie e flukseve nga Zvicra lidhet kryesisht edhe me përfundimin e punimeve të gazsjellësit TAP.