Aktualitet

Homazhe për nënkomisar Saimir Hoxhën, Qeveria e shpall “Dëshmor të Atdheut”!

Në “Pallatin e Kongreseve” në Tiranë po zhvillohen homazhet për nënkomisarin e Lezhës, Saimir Hoxha i cili u vra dje në krye të detyrës, i qëlluar për vdekje nga Aldi Rama. 21-vjeçari ndërroi jetë sot në Spitalin e Traumës në Tiranë, duke mos i mbijetuar plagëve pasi u vetëplagos dje me pistoletë ndërsa mbahej i rrethuar nga forcat RENEA në zonën e Kune-Vainit.

Me vendim Qeverie, Saimir Hoxha është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Në përfundim të mbledhjes së sotme të ekzekutivit, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se “menjëherë, familjarët do të trajtohen financiarisht nga shteti”.

Siç e dini, dje në mënyrë tragjike humbi jetën në krye të detyrës nënkomisar Saimir Hoxha. Morëm vendimin për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” dhe për trajtimin e menjëhershëm financiar të familjarëve. Sigurisht, fëmijëve do u mungojë babai i tyre, por në asnjë moment gjatë gjithë jetës së tyre, nuk do i mungojë përkujdesja nga shteti.

Mes atyre që bënë homazhe ishin edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama e kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Meta i akordoi “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në shërbim të Policisë së Shtetit, si dhe në vlerësim të trimërisë së treguar gjatë kryerjes së detyrës, duke mos kursyer as jetën e tij në luftën kundër krimit të organizuar për të garantuar rendin dhe sigurinë publike”.

Për Kryetarin e Shtetit, Meta “ky është moment reflektimi”.

Eshtë moment i dhimbshëm që t’i japim sot lamtumirën e fundit një oficeri hero të Policisë së Shtetit, që nuk e meritonte të ndahej nga jeta, nga familja. Eshtë moment reflektimi për një luftë frontale kundër krimit të organizuar, por edhe dekurajimin e krimit ordiner. Eshtë prioritet lufta kundër trafikut të drogës, ndaj atyre që përfitojnë prej saj, si dhe për të shpëtuar sa më shumë të rinj e fëmijë, që për fat të keq bien pre e këtij fenomeni shkatërrimtar e që janë përgjegjës për akte të tilla, që trondisin një shoqëri. Eshtë momenti për ta mbështetur më shumë policinë në këtë luftë.

Pas homazheve, kryeministri Rama shprehu ngushëllime dhe e vuri theksin te trajtimi financiar për familjen e “Dëshmorit të Atdheut”, Saimir Hoxha:

Padyshim që është një çast i rëndë për të gjitha forcat tona të Policisë së Shtetit, patjetër edhe për shoqërinë e për shtetin, por mbi të gjitha për familjen. Duke i shprehur ngushëllimet vëllazërore familjes, duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera të gjithë kolegëve që e kanë njohur nga afër këtë Dëshmor të ri të Atdheut dhe të gjithë punonjësve të Policisë, dua të bëj me dije se sot, Qeveria vendosi mbështetje financiare të konsiderueshme për familjen. Por, me të hyrë në fuqi ligji “Për fëmijët nën kujdesin e Republikës”, fëmijët e të ndjerit do të marrin 170% të pagës së tij deri në moshën e pjekurisë. Përgjegjësia e Republikës është që fëmijët e dëshmorëve, që japin jetën në krye të detyrës, të mos mbeten vetëm, por të mbështetur dhe inkurajuar për të hyrë në rrugën e jetës së tyre, duke qenë krenarë për prindin dhe shtetin, të cilit babai i shërbeu deri në ditën e fundit.

Ndërkaq, kreu demokrat Basha deklaroi:

Jam këtu për t’i dhënë lamtumirë e fundit nënkomisar Saimir Hoxhës. Dua të shpreh solidaritetin dhe mbështetjen time për vëllezërit dhe motrat me uniformë të Saimir Hoxhës që përballen çdo ditë me rrezikun vdekjeprurës të luftës kundër krimit dhe mbrojtjes së ligjit, jetës e sigurisë së çdo qytetari. Sot nuk është dita për të ngritur gishtin e përgjegjësisë, por si drejtues i dikurshëm i tyre, ju them se dhimbjen e përditshme për braktisjen dhe poshtrimin e tyre, e ndjej çdo ditë. Unë dhe PD-ja do të bëjmë gjithçka që dinjitetin t’ua vëmë në vend dhe hapi i parë do të jetë një qeveri, në krah të policisë dhe kundër krimit!