Aktualitet

Horrori në Fier, “Arrest me burg”, autori nuk ishte në gjykatë/ Nëna e Mateos kërkon të digjet!

Tensionet në gjykatën e Fierit bënë që masa e sigurisë “Arrest në burg” për Klodian Çalamanin, të jepej pa praninë e tij, sot në sallën e gjyqit. Për monstrën, i cili dy ditë më parë masakroi fëmijën Mateo Vasiu, vetëm 8-vjeç dhe nuk shfaqi asnjë pendesë kur u zbulua, nga familjarët është kërkuar dënim me vdekje. Gjatë gjithë kohës, ata kërkuan të hyjnë në sallën e gjyqit dhe u përplasën me policinë, që nuk i lejoi.

Pati momente kur arritën të çanin kordonin policor, por më pas u nxorrën jashtë dhe në mjediset e jashtme të gjykatës u dërguan forca policore shtesë. Fillimisht, seanca e lënë për në orën 10:00 u shty për në 10:30, për t’u marrë vendimi në mungesë të 38-vjeçarit, që nuk u paraqit.

Jashtë gjykatës, me familjarët u solidarizuan edhe qytetarë, me kërkesën për dënimin më ekstrem, atë me vdekje, por që në Shqipëri nuk ka një dënim të tillë, ai është hequr vite më parë. Gjithashtu, qytetarët po nënshkruajnë një peticion të iniciuar nga të afërmit e Mateos për këtë qëllim.

Akoma edhe më tronditëse fjalët e nënës së Mateos, pasi u ndërgjegjësua dhe mori lajmin e masës për lënien në qeli të Çalamanit.

Ia futi me lopatë e la të vdekur, e groposi i vuri dheun nga lart, vajta në polici. Dua ta djegim në mes të Fierit, tani urgjentisht! Do presim, do të vijmë, do të presim nesër, sot, nuk mund të flas më shumë se nuk kam zë. Më iku fëmija, iu pre ëndërra përgjysmë.

Të irrituar, shumë persona qëndruan para godinës së gjykatës, edhe pas dhënies së masës së sigurisë. Revolta nuk fshihet.

Ndërkaq, Erlis Nakollari i caktuar avokat nga shteti, u tërhoq nga mbrojtja.