Film & Tv

“How to become a Tyrant” rregulla sarkastike për t’u bërë Tiran, dhe secili prej nesh mund të bëhet i tillë. Kritikë.

Më herët këtë muaj Netflix prezantoi “How to become a Tyrant” pa shumë bujë. Nuk ishte as në kategorinë ‘New on Netflix’ as në newsletter-in që i shkon abonentëve. Arsyeja mund të jetë se ky dokumentar do pak njohuri historike (bazike) për t’u kuptuar. Pra nuk është për të gjithë…(mbase) Sepse të mbledhësh historinë e diktatorëve më të njohur në planet në 6 seri të shkurtra tingëllon si ato videot e YouTube që ‘nuk bëjnë dy lek’ edhe pse narratori në këtë rast është tirani i “Game of Thrones” Peter Dinklage (frymëmarrje e thellë).
Sidoqoftë mekanizmi i përdorur i fast-facts është i kuptueshëm për kohët që jetojmë dhe kjo mjafton për ta bërë dokuserialin shumë të shijueshëm me sarkazmën e tij të hollë.

“How to become a Tyrant” hapet me një montazh të shpejtë të diktatorëve më të famshëm të shekullit të 20 dhe 21.

“Pushtet abusolut” – dëgjohet të thotë Dinklage (i cili është gjithashtu një prej producentëve të filmit) “E di që e do, të gjithë e duam, thjesht nuk e di si ta marrësh”.

Gjashtë seritë e dokumentarit tregojnë rregullat bazike se si ti, që po lexon këtë shkrim, apo kushdo tjetër mund të bëhet një tiran, të këtë pushtet e lavdi duke zbatuar rregulla të thjeshta të cilat në të shkuarën i kanë zbatuar me përpikmëri personazhe si Stalini, Hitleri apo Sadam Huseini sa për të përmendur disa. Edhe pse kalimthi përmenden më shumë se gjashtë diktatorë të njëqind viteve të fundit, në listë nuk përmendet diktatori ynë, Enver Hoxha, i cili pasi sheh serialin, dhe njeh historinë duket se ka zbatuar me përpikmëri rregullat e ‘librit’ të “Si të bëhesh Tiran”.

Çdo episod fokusohet tek një diktator i caktuar, me materiale arkive dhe intervista historianësh e studiuesish dhe narracionin e Peter Dinklage që lidh me humor të gjitha bashkë. I pari është ai, tirani më i famshëm nga të gjithë – Adolf Hitler në serinë që quhet “Sieze Power – Të kapësh pushtetin” dhe tregon se si ju deshën 16 vite e shumë peripeci për t’u kthyer në liderin absolut të gjermanisë Naziste nga ushtar në Luftën e Parë Botërore ku shpëtoi për mrekulli deri në 1934. Konceptet sidoqoftë nuk të duken të huaja në 2021, për ata që ndjekin lajmet, madje mund të heqësh kollaj paralele edhe me liderat e të ashtu-quajturave vende demokratike.

“Gjej një grup njerëzish shumë të pakënaqur, fermento zemëratën kundër ‘armikut’, edhe pse artificiale, rri gju më gju me popullin, bëhu një markë për t’i bërë njerëzit të ndihen pjesë e një skuadre dhe prit për momentin më të mirë për të qëlluar”.

Në episodin e dytë Dinklage tregon për lehtësinë e të marrit të pushtetit krahasimisht me mbajtjen e tij. Përmes historisë së Sadam Hysein “Mbyt Kundërshtarët/ Crush Your Rivals” tregohet se si ai pas 10 viteve si zv/President u bë i plotfuqishëm në Irak në 1979 duke shfrytëzuar të gjitha lidhjet e krijuara gjatë këtyre 10 viteve, për t’i vrarë më pas të gjithë ata që (sipas tij) ishin kundër e po thurrnin plane për asgjesimin e tij. Metodat e futjes së frikës ishin të frikshme dhe nuk kursenin as familjarët, edhe atëhere kur Sadami nuk të dënonte me vdekje të detyronte të ktheheshe në vrasës për të vrarë atë që u dënua me vdekje.

Episodet e tjera, “Reign through terror / Mbretëro përmes terrorit” ka në fokus Idi Amin, “Control the Truth / Kontrollo të vërtetën” Joseph Stalin, “Create a New Sociaty / Krijo një shoqëri të re” Muammar Gaddafin dhe “Rule Forever / Udhëhiq përgjithmonë” me në qëndër dinastinë Kim në Korenë e Veriut (Vendi i vetëm thellësisht komunist e i izoluar në planet).

Edhe pse mund të duket si një dokumentar i History Channel me buxhet Netflixi është qasja sarkastike që e bën atë të jetë interesant, me rrëfimin ironik të Dinklage i cili promovon diktaturat duke treguar se sa të gabuara dhe rrezikshme janë ato për njerëzimin. Ekspertë si Andrew Sullivan tregojnë (atë që e jetojmë çdo ditë) se janë njerëzit që kohë pas kohe preferojnë të jenë në zgjedhën e një autokrati. E në fakt gjërat që dimë thuhen shpesh në seritë e “How to become a Tyrant” dhe kjo e zhvesh pakëz nga ngjyrat.

Ajo që të rrënqeth janë paralelet që mund të heqim lirisht me kohët që jetojmë aq sa Hitleri të të mos të duket aq i largët apo eksetremist, thjesht diktatorët modernë janë bërë më të rafinuar.

Animacioni i 6 Point Harness tingëllojnë si rrallë herë afër temës së një dokumentari.

“How To Become a Tyrant” duhet parë, edhe pse i vogël e i çuditshëm e sjell historinë në kohët që jetojmë dhe me atë ritëm, sigurisht duke mos shpjeguar dot Pse-të?

Mbase për këtë duhen volume të tëra librash – një serial Netflix-i është i pafuqishëm ta bëjë.

“How To Become a Tyrant” është duke u stream-uar në Netflix.