Aktualitet

Huamarrja e brendshme e qeverisë do të ulet më tej në 3-mujorin e tretë të vitit!

Huamarrja e qeverisë shqiptare në tregun e brendshëm financiar do të ulet ndjeshëm në tremujorin e tretë të vitit. Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, shuma e përgjithshme e huamarrjes, e planifikuar për t’u siguruar nëpërmjet emetimit të instrumenteve financiarë do të jetë 74.6 miliardë lekë, duke përfshirë këtu rifinancimin e borxhit të maturuar.

Vlera e huamarrjes së qeverisë pritet të jetë 10% më e ulët krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Ndërkohë, krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti, rënia e huamarrjes do të jetë edhe më e ndjeshme, me 29% më pak. Por, vlera e planifikuar e huamarrjes për tremujorin e tretë është më e lartë krahasuar me projeksionet e kalendarit vjetor të emetimeve që Ministria e Financave publikoi për herë të parë në fillim të vitit të kaluar.

Sipas këtij dokumenti, ishte parashikuar që huamarrja e brendshme për tremujorin e tretë të arrinte në rreth 70.5 miliard lekë ose 4.1 miliard lekë më pak se në kalendarin e përditësuar tremujor. Në përgjithësi, tregu i titujve qeveritarë në pjesën e parë të këtij është karakterizuar nga një kërkesë e kënaqshme e investitorëve dhe një tendencë në rënie e yield-eve. Ulja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, në fillim të këtij muaji nga 3.25% në 3%, i ka dhënë një shtysë të mëtejshme uljes së yield-eve.

Inflacioni në muajin qershor ishte 2.1%, duke qëndruar për të pestin muaj radhazi poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Rënia e inflacionit e ka bindur Bankën e Shqipërisë për t’iu kthyer kahut lehtësues të politikës monetare, duke ndjekur linjën e Bankës Qendrore Europiane, që e pati ndërmarrë një lëvizje të tillë në muajin qershor.

Yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore tashmë ka rënë në 3.19% dhe ndodhet në nivelet më të ulëta të nëntë muajve të fundit. Gjendja likuide e tregut të brendshëm financiar është e rëndësishme, edhe në kushtet kur Ministria e Financave ka planifikuar që deficiti vjetor do të financohet i gjithi nga huamarrja e brendshme dhe likuiditeti gjendje nga viti 2023.

Më konkretisht, nga një deficit buxhetor i parashikuar prej rreth 61.3 miliardë lekësh, huamarrja e brendshme pritet të financojë rreth 81.6% të tij ose rreth 50 miliardë lekë. Huamarrja neto e huaj pritet të jetë në nivele negative ndërsa pjesa tjetër e deficitit parashikohet të financohet nga gjendja e mbartur e likuiditetit në vitin 2023.

Vlera totale e titujve që do të emetohen në tregun e brendshëm gjatë vitit 2024 pritet të jetë rreth 378.6 miliardë lekë gjatë vitit 2024. Muajt me vlerën më të lartë të emetimeve të reja ishin janari dhe shkurti, kur vlerësohet se u realizua pothuajse 30% e volumit vjetor të huamarrjes për vitin 2024./Monitor