Aktualitet

Humb jetën e reja në Elbasan, vdes pasi kryen abort në maternitet; nën hetim dy mjekë

Një 34-vjeçare në Elbasan ka humbur jetën, vetëm 6 orë pasi kishte kryer një abort në Maternitetin e Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, ku 34-vjeçarja ishte paraqitur rreth orës 12:00 për të kryer një abort e më pas ishte larguar për në banesë. Por pas disa orësh të së njëjtës ditë, gjendja e saj shëndetësore ishte përkeqësuar dhe ishte transportuar sërish në Maternitetin e Elbasanit, ku dhe ka ndërruar jetë.

Në lidhje me rastin, prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet penale për dy mjekë të Maternitetit, A. P., 56 vjeç dhe B. Gj., 60 vjeç, për veprën penale ‘Neglizhenca në trajtimin mjekësor’.

‘Më datë 30.01.2023, rreth orës 12:00, një shtetase 34 vjeçe është paraqitur në ambientet e Maternitetit të Elbasanit, ka kryer një procedurë aborti dhe më pas është larguar në banesë. Rreth orës 18:00 të së njëjtës ditë, dyshohet se për shkak të komplikimeve të gjendjes shëndetësore, kjo shtetase ka njoftuar shërbimet e ambulancës, të cilat e kanë transportuar atë në Maternitetin e Elbasanit, ku kjo shtetase ka humbur jetën. Për këtë rast, oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan kanë iniciuar procedimin penal për shtetasit A. P., 56 vjeç dhe B. Gj., 60 vjeç, mjekë në Maternitetin e Elbasanit, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.’- njofton policia.

Lajmi në përditësim…