Aktualitet

Humb jetën një 30 vjeçare, e cila sapo ishte bërë nënë/Lindja në maternitetin “Koço Gliozheni”!

Një 30-vjeçare ndërron jetë katër ditë pas lindjes së fëmijës së saj të parë në maternitetin e ri në Tiranë. Më 28 janar, gruaja nga Fieri me iniciale M.V kreu lindje natyrale në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” në kryeqytet dhe të hënën e kësaj jave u largua nga mjediset e tij, pas qëndrimit 48-orësh bashkë me foshnjën.

Top Channel kontaktoi drejtorin e këtij materniteti, dr.Genci Hyska, i cili sqaroi se 30-vjeçarja “u largua me insistimin e saj, për të cilin edhe ka firmosur”. Kjo pasi nga ekipi i mjekëve iu kërkua të qëndrojë. Por, dje rreth orës 20:00 të mbrëmjes u rikthye në maternitet me shenja dobësie dhe u reanimua menjëherë, siç bëhet e ditur,  “duke i dhënë mjekimet e nevojshme”. Fatkeqësisht, sot ndërroi jetë pavarësisht ndihmës mjekësore.

Mjekët dyshojnë se vdekja mund të ketë ardhur për shkak të trombo-embolisë, pasi përjashtojnë mundësinë e hemoragjisë së brendshme. Ndërkohë, trupi i të ndjerës iu dërgua Institutit të Mjekësisë Ligjore, ndonëse mësohet se fillimisht familjarët e viktimës nuk pranuan. Do të jetë autopsia që pritet të nxjerrë shkakun e vërtetë të këtij fataliteti.

Ky është i dyti rast në pak orë. Dje u raportua vdekja e një 34-vjeçareje në Elbasan, pas  abortit në maternitetin e qytetit. Drejtori i spitalit, Agron Gaxha siguroi se pacientja mori trajtimin e nevojshëm në spital. Duke vënë në dukje se nuk mund të shprehen për shkaqet e humbjes së jetës pa dalë ekspertiza mjeko-ligjore, ai informoi se ende janë në pritje.