Sport

Humbi titullin perballë Milanit, Inter rinovon me Inzaghin!

E përvijuar ditët e fundit, sot është zyrtarizuar marrëveshja e re Interit me trajnerin Simone Inzaghit. Ish-tekniku i Lazios ka rinovuar kontratën me zikaltrit deri në vitin 2024. Njoftimi zyrtar klubit të Interit u bë përmes Instagramit.

Në vitin e tij të parë në pankinën e Interit, Simone Inzaghi nuk ia doli të mbronte titullin kampion të fituar nga paraardhësi i tij, Antonio Conte. Atij iu desh të pranonte vendin e dytë, pas Milanit. Megjithatë, nën drejtimin e tij zikaltrit i shtuan palmaresit të tyre dy trofe: Superkupën dhe Kupën e Italisë, të dyja të fituara kundër të njëjtit kundërshtar, Juves.

Sezonin e ardhshëm do të ketë si objektiv të zbresë Milanin nga froni i kampionit dhe të shkojë sa më larg në Champions League. Zyrtarizimi i rinovimit të Inzaghit vjen në një moment kur klubi zikaltër është shumë aktiv në merkato. Tashmë janë mbyllur marrëveshjet për katër lojtarë: Bellanovan, Mkhytarian, Onanën dhe mesfushorin kuqezi, Kristjan Asllani.