Bota

Hungari, Viktor Orban drejt mandatit të 4-rt!

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban shpalli fitoren në zgjedhjet e djeshme parlamentare, duke pretenduar mandatin e katërt. Në një fjalim 10-minutësh drejtuar zyrtarëve dhe mbështetësve të partisë Fidesz në Budapest, turmës që brohoriste “Viktor” i tha se “ishte një fitore e madhe për partinë e tij”.

Ne siguruam një fitore kaq të madhe sa mund ta shihni nga Hëna dhe sigurisht që mund ta shihni nga Brukseli.

Hungarezët votuan për zgjedhjet parlamentare, që paraqitën sfidën më të madhe për kryeministrin Viktor Orban në 12 vitet e pushtetit të tij. Ndryshe nga votimet e mëparshme, opozita hungareze u bashkua në një koalicion duke synuar ta largonte atë nga pushteti, bashkë me Fidesz-in. Por me aleatët, kjo parti ka një epërsi të ngushtë ndaj gjashtë subjekteve opozitare të bëra bashkë.

Në këto zgjedhje, të drejtë vote kishin 8 milion persona, ndërsa një pjesë e rëndësishme e elektoratit u shpreh e pavendosur në ditët e fundit të fushatës. Gara e ngushtë rrit shqetësimet.

Në një lëvizje të paprecedentë për shtetet e Bashkimit Europian, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) dislokoi një mision monitorues, pas shqetësimeve se mund të ketë manipulim të votave dhe përdorim të burimeve shtetërore që do t’i jepnin një avantazh të padrejtë partisë në pushtet.

Ndërkaq, çështjet e brendshme kanë mbetur në hije gjatë fushatës, e cila u dominua nga lufta në Ukrainë, vend në kufi me Hungarinë. Edhe pse Orban në përgjithësi e ka mbështetur Ukrainën, ai refuzon të lejojë që armët e NATO-s të transferohen përmes shtetit të tij për në Ukrainë, duke thënë se “Hungaria duhet të qëndrojë jashtë luftës”.

Sipas liderit opozitar, Peter Marki-Zay, mesazhi e ka bërë votimin e 3 prillit të thjeshtë:

Pyetja është e qartë: Putin apo Europa? Unë vazhdoj të them se ne duhet ta ndalim Putinin, jo Brukselin. Le të jemi vetëm një herë në anën e duhur të historisë, le të jemi vetëm një herë në anën e fitores!

Ndërkaq, Orban e ka përdorur luftën për të përzier konservatorizmin dhe nacionalizmin, çka e ka lejuar të qeverisë në 12 vjetët e fundit, me të ashtuquajturën supershumicë në Parlament.