Film & Tv

“Hunger” uria për ideale, refuzimi i ‘short-cut’-eve. Kritikë.

Ishin kohë dëshpëruese, dhe “Hunger” është një film i dëshpëruar. Flet për betejën e egër mes IRA – Ushtrisë së Republikës Irlandeze dhe shtetit Britanik, një betejë që në 1981 çoi në një grevë urie ku 10 të burgosur të IRA-s humbën jetën. I pari mes tyre ishte Bobby Sands, vdekja në agoni e të cilit tregohet me një ndjeshmëri të paepur në aktin e fundit të filmit.

Nëse nuk jeni prej tyre që mbani një anë në këtë histori, jeni njësoj si historia e këtij filmi, e cila gjithashtu nuk mban një anë. “Hunger” nuk tregon për të mirat apo të këqijat e Britanikëve në Irlandën veriore, por për kushtet ç’njerëzore të burgjeve ku mbaheshin të burgosurit politikë dhe vendosmërinë e çeliktë të personazheve si Sands. Është e pamundur të gjesh në film një fjali të vetme për historinë e Irlandës dhe politikën. Janë vetëm dy pasazhe që tregojnë nevojën apo kotësinë e grevës; njëri syresh një plan sekuencë pa lëvizur i gjatë 16 minuta (Uau!) mes Sands dhe një prifti dhe tjetri kur një doktor i shpjegon në detaje prindërve të Sands çfarë po i ndodh trupit të këtij të fundit për shkak të grevës.

Ky nuk është një film i zakonshëm. Nuk ka një konflikt që të na tërheqë nga fillimi në fund. Në vend të kësaj, regjisori Steve McQueen, një artist që zotëron realizëm të pamëshirshëm, godet tre korda kryesore. E para, rutina e një roje burgu (Stuart Graham), i plagosur fizikisht dhe metaforikisht nga puna e tij. E dyta, dy të burgosur të tjerë (Brian Milligan dhe Liam McMahon) të cilët rrefuzojnë të vishen dhe lahen. E treta, greva.

Një gjë është e qartë; Asnjëra nga palët nuk dorëzohet. Gjatë filmit dëgjojmë dy herë kryeministren e kohës së Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher, e cila i përshkruan të burgosurit e burgut Maze në Belfast si kriminelë, jo të burgosur politikë. IRA e quan veten politike deri në palcë. Por ideologjia as nuk përmëndet, qoftë shkarazi në skenën jashtëzakonisht të gjatë të dialogut mes Sands (një Michael Fassbender i mrekullueshëm) dhe priftit (Liam Cunningham) mbi efektshmërinë e grevës. Prifti, një realist, në terma shumë civil avokaton mbi kotësinë e grevës në gjithësinë e saj pa përmendur asnjëherë vetvrasjen si mëkat.

Sands mendon se vdekja për bukë do të ketë ndikimin e duhur. Prifti thekson se edhe sikur, ai do ketë vdekur ndërkaq. ‘Nevoja’ e tij për të vdekur është metafora e idealit Irlandez të besimit ‘deri në vdekje’ kthyer në të pavdekshme nga teksti i këngës:

And Always remember, the longer we live, the sooner we bloody well die” / “Gjithmonë kujtoni, më gjatë jetojmë nëse vdesim më shpejt

Tabloja e vdekjes së Sand është e zymtë. E xhiruar me një agoni por pastërti të hapur. Është alarmuese se si Fassbander ka humbur 30kg për rolin brenda pak kohësh duke shkuar nga 77 në një 59 kilogramësh syshqyes.

A u arrit diçka nga greva? Pasi numri i grevistëve arriti në 10, Thatcher u dorëzua duke i njohur të burgosurit si politikë, edhe pse duke shmangur deklaratat publike. Fundja nuk e ka fituar kot emërtimin ‘Gruaja e Hekurt’. Sot ka paqe në Irlandën e veriut, edhe pse ishulli është ende i ndarë. Bobby Sands nuk jeton më.

Nëse ky film i 2008 ju ka rrëshkitur pa parë në morinë e titujve që na propozohen çdo ditë, është absolutisht një rikthim i nevojshëm. Xhanëm në jetë, në atë të vërtetën, njësoj si tek ky film – nuk ka short-cut-e.