Pasò Sport

Hygerta Sako: “Në Shqipëri ndahen skuadrat në komuniste dhe fashiste, një gjë shumë e shëmtuar!”

E premtja sportive erdhi për të gjithë dëgjuesit e Top Albania-s dhe të apasionuarve pas futbollit dhe jo vetëm. Këtë episod të Paso pati shumë të ftuar të cilët bënë një analizë të hollësishme të situatës së futbollit në Shqipëri dhe jo vetëm.

E ftuara e vetme në studio ishte prezantuesja e njohur Hygerta Sako, e cila njihet tanimë si një njohëse shumë e mirë e sportit, pasi prej kohësh drejton emisione të këtij formati. Teksa në studio u hap tema mbi etikën dhe komunikimin e munguar në futboll, prezantuesja bukuroshe u shpreh se ky në fakt është një problem i vendit tonë.

Unë kam përshtypjen që është difekt i joni. Periudha e tranzicionit në çdo aspekt të jetës që duket se nuk po përfundon, reflektohet edhe në sport. Një nga “bulëzat” e vetme që mund të marr shembull se është zbatuar etika është kur tifozët e Vllaznisë duartrokitën për fitoren e skuadrës kundërshtare. 

Teksa u diskutua se janë presidentët e klubeve ata që janë përgjegjës për këtë, Sako u shpreh se është e vështirë të krijohet fryma e bashkëpunimit vetëm nga presidentët.

Skënder Gega kur drejtonte Partizanin para dy viteve ishte shumë i qetë dhe i mirë. Mungesa e etikës dhe komunikimit vjen mospërshtatja me presidentët. E vështirë të krijohet fryma e bashkëpunimit, edhe pse mund të kemi presidentët, sërish ndodhin këto. 

Problematika më e madhe që sipas Hygertës është “një gjë shumë e shëmtuar” është ndërhyrja e politikës në sport.

Kur futet politika dhe ndahen ekipet në komuniste dhe fashiste është gjë shumë e shëmtuar. Tifozi duhet ta dojë skuadrën për fanellën, jo politikën.