Aktualitet

Hyn në fuqi marrëveshja për pensionet me Kanadanë, përfitojnë rreth 40 mijë shqiptarë!

Nga sot, 1 gusht ka nisur zbatimi i marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Kanadanë. Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj bën me dije se rreth 30-40 mijë shqiptarë të cilët jetojnë dhe punojnë në Kanada pritet të përfitojnë.

Kjo marrëveshje është ratifikuar në vitin 2019 dhe synon trajtimin e barabartë të qytetarëve dhe njohjen e vjetërsisë në punë. Në bazë të marrëveshjes asnjë qytetar nuk do të humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht se ku ka punuar.

Pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe eksporti i pensioneve, që do të thotë që pensioni do t’ju paguhet qytetarëve shqiptarë në vendin që do të zgjedhin të jetojnë. Kështu, shtetasit shqiptarë do të kenë mundësi që të marrin pensionin kanadez edhe nëse zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, duke mos humbur asnjë të drejtë.

‘Nis sot në 1 Gusht 2022 zbatimi i marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Kanadanë. Rreth 30-40 mijë shqiptarë të cilët jetojnë dhe punojnë në këtë vend pritet të përfitojnë. Kjo marrëveshje e ratifikuar në vitin 2019 synon trajtimin e barabartë të qytetarëve dhe njohjen e periudhave të vjetërsisë në punë”, shkruan Ibrahimaj.

Nënshkrimi përfundimtar i kësaj marrëveshjeje erdhi pas një periudhe të gjatë negociatash për njohjen reciproke të skemave të sigurimeve shoqërore dhe hartimit të marrëveshjeve administrative, duke nisur që prej vitit 2013.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në Kanada, u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Kanadasë si edhe u trajtuan disa çështje me interes të ndërsjellë si dhe u theksua vullneti i përbashkët i të dy vendeve tona për forcimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dy dhe shumëpalësh.