Bota

Hyn në muajin e 6-të lufta në Ukrainë!

Luftimet e pandërprera po vazhdojnë ndërsa pushtimi rus i Ukrainës hyri në muajin e gjashtë, me trupat ruse që pa mëshirë po bombardojnë në veri, jug e në lindje. Ka sinjale se përveç mungesës së personelit, ushtria ruse po përballet me vështirësi për zëvendësimin ose riparimin e qindra pjesëve të pajisjeve ushtarake, të dëmtuara në luftime. Forcat e armatosura ukrainase raportojnë për sulme të ushtrisë ruse në veri, jug dhe në lindje, pasi Kievi bëri të ditur se do të shtyjë përpara përpjekjet për të rimarrë territorin e humbur.

Ministria britanike e Mbrojtjes që përditëson situatën në Ukrainë, njoftoi sot se luftime “jovendimtare” po zhvillohen në lindje e në rajonin e Khersonit në jug, që u pushtua nga rusët në fillim të luftës. Kjo për shkak se numri i ulët i personelit po e bën më të vështirë që komandantët e Moskës të vendosin nëse duan të forcojnë ofensivën në lindje apo të fuqizojnë mbrojtjen në perëndim të Ukrainës. Ndërkohë, më 18 korrik, inteligjenca britanike identifikoi një godinë për riparimin e automjeteve ushtarake ruse pranë Barvinokut.

Yuriy Ignat, zëdhënës i forcave ajrore, raportoi se avionët ukrainas të pajisur me raketa, sulmuan tre bastione ruse, duke shkatërruar pajisje e vrarë trupa. Për mediat vendase, gjithashtu Ignat tha se mbrojtja kundërajrore po funksion në mënyrë “të përsosur”. Po ashtu, informoi se janë rrëzuar katër raketa ruse të llojit Kalibr, që ishin nisur nga Deti i Zi në drejtim të rajonit Helnitski.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka nisur një turne në Afrikë, për të siguruar shtetet se marrëveshja ndërkombëtare për eksportin e drithërave ukrainase përmes Detit të Zi mbetet në fuqi. Liderëve në Egjipt, kryediplomati i Moskës iu tha se “Rusia ka rikonfirmuar angazhimin e eksportuesve rusë të drithërave se ata do të përmbushin të gjitha angazhimet”. Ukraina është një prej eksportueseve më të mëdha në botë të grurit, misrit e vajit të lulediellit, por pushtimi rus dhe bllokada që Moska i ka bërë porteve ukrainase ka bllokuar dërgesat.