Aktualitet

Hyrja e Shqipërisë në BE, Parlamenti Europian miraton raportin e raportueses Santos!

Me shumicë votash, Parlamenti Europian miratoi raportin për procesin e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Njoftimin e bëri të ditur raportuesja për Shqipërinë në PE, Isabel Santos. Duke sjellë tabelën e votimit, ku kanë votuar pro 519 deputetë nga 599 deputetë, Santos theksoi se “është koha për të kaluar në negociata të Shqipërisë me Bashkimin Europian”.

Raporti im për procesin e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian sapo u miratua nga seanca plenare e Parlamentit Europian me shumicë dërrmuese. Europa nuk mund të zhgënjejë popullin shqiptar dhe një vend që është përpjekur të zbatojë të gjitha hapat e nevojshëm për pranimin. Koha për të kaluar në negociata formale!

Gjatë seancës plenare të PE-së, Isabel Maria Santos prezantoi gjetjet në lidhje me ecurinë e vendit tonë në lidhje me procesin e integrimit dhe apeloi për mbajtjen e menjëhershme të Konferencës së Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë e Bashkimit Europian brenda kohës së Presidencës Franceze të Këshillit Europian.

Edhe përfaqësuesi i Komisionit Europian, Didier Reynders, theksoi vendosmërinë në plotësimin e kushteve nga ana e Shqipërisë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Zyrtari europian bëri thirrje që Konferenca e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, të mbahet sa më parë.

Për muajin e ardhshëm, kancelari gjerman, Olaf Scholz njoftoi një tur vizitash në Ballkan, me mesazhin: “Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Europian”. Vetë shefi i qeverisë së Berlinit u shpreh: “Që të mos ketë asnjë rënie shkurt të rrugës për anëtarësimin e Ukrainës është gjithashtu edhe një çështje besnikërie ndaj gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

.Në fjalimin para Bundestagut, kancelari Scholz nënvizoi se “paqja merret si e mirëqenë vetëm nëse tregohen të gatshëm ta mbrojnë”. Sipas tij, “Sulmi i Rusisë në Ukrainë është një leksion brutal”. “Lufta në Europë nuk është më e paimagjinueshme dhe konflikti në Ukrainë është sigurisht sfida më e madhe në vitet e fundit”, – tha Scholz.