Bota

Hyrja në NATO, liderët e Finlandës e Suedisë do të takojnë nesër Erdoganin!

Gjatë ditës së nesërme, me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, presidenti finlandez, Sauli Niinisto dhe kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson do të diskutojnë mbi synimet e tyre për anëtarësim në NATO. Kjo në kushtet kur ka një bllokim nga Turqia të planeve për zgjerimin e Aleancës Veri-Atlantike.

Po ashtu, raportohet se palët do t’i zhvillojnë këto bisedime në kuadër të samitit të NATO-s që këtë vit, zhvillon punimet në kryeqytetin spanjoll Madrid, nga data 28 e deri më 30 qershor. Presidenca finlandeze njofton:

Presidenti Niinisto do të takohet nesër në Madrid me presidentin turk Erdogan e me kryeministren suedeze Andersson, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ndërkaq, mësohet se këtij takimi do t’i paraprijë një raund bisedimesh mes zyrtarëve finlandezë, suedezë e turq, të ftuar nga NATO në Bruksel. Siç është bërë tashmë e ditur, pushtimi rus në Ukrainë i ka shtyrë Finlandën dhe Suedinë që të aplikojnë për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike.

Por, pengesë po bëhet presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i cili shprehet kundër pranimit të dy shteteve nordike në NATO. Si arsye, përmend atë që e konsideron “mbështetje që këto dy vende japin për organizata terroriste”. Me këtë deklaratë, kreu i shtetit turk u referohet organizatave të ndaluara, Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) e milicisë kurde, krahas Njësiteve për Mbrojtjen e Popullit (YPG) në Siri.

Lideri turk u ka bërë thirrje Suedisë e Finlandës që të heqin embargon për armët, të vendosura kundër Turqisë në vitin 2019, për shkak të ofensivës ushtarake të Ankarasë në Siri. Dy ditë më parë, Erdogan ka dhënë shenja se nuk është arritur përparim në synimet e Suedisë për t’iu bashkuar NATO-s, duke i bërë thirrje Stokholmit që të ndërmarrë “veprime konkrete”, që të mund të adresojë shqetësimet e Ankarasë.
Zyrtarët turq kanë deklaruar se Ankaraja nuk e konsideron samitin në Madrid si afat të fundit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre.