Botë e Çuditshme Tech Travel

I bën ballë katastrofave natyrore më ekstreme, miratohet projekti për qytetin e parë ‘pluskues’ në botë!

Ndryshimet klimatike po detyrojnë arkitektët më të mëdhenj në botë të mendojnë zgjidhje alternative dhe të qëndrueshme, mundësisht në harmoni me natyrën. Një nga këto projekte, ndoshta më konkreti, vjen nga Koreja e Jugut, pikërisht nga ujërat përballë metropolit të Busan, qyteti i dytë më i madh i vendit dhe porti i pestë më i rëndësishëm në botë.

Në nëntor, autoritetet bashkiake, organizata me qendër në New York Oceanix dhe Kombet e Bashkuara kanë firmosur një marrëveshje të cilësuar si historike, ku u miratua projekti për një qytet të ri pluskues që do të ndërtohet përballë qytetit.

Sipas projektit, të ideuar nga arkitekti i njohur Bjarke Ingels, qyteti i veçantë do të jetë shtëpi për rreth 10 mijë persona, ndërkohë që shtëpitë e ndërtuara sipas një sistemi të ri modular në formë gjashtëkëndëshe do të ndahet në disa fshatra që kanë specifikat e tyre, që sipas projektuesve mund t’i rezistojnë edhe katastrofave natyrore më ekstreme, duke vetëprodhuar energjinë dhe ujin e nevojshëm.

Kosto fillestare e parashikuar për modulet e para shkon në 200 milionë dollarë, por shifra mund të zmadhohet së tepërmi në varësi të suksesit dhe të partnerëve ndërkombëtarë të interesuar në projektin, që mund të përfundojë fazën e parë brenda vitit 2025, ndërkohë që punimet mund të fillojnë në verën e ardhshme.

Sipas kompanisë Oceanix, projekti i tyre po vlerësohet edhe nga 10 qeveri të ndryshme në botë, në veçanti nga ato që po goditen më shumë nga ngritja e nivelit të ujit. Përgjegjësit e Kombeve të Bashkuara u shprehën se:

Qytetet pluskuese të qëndrueshme janë pjesë e strategjive ndaj ndryshimeve klimatike. Në vend që të luftojmë detin, le të jetojmë në harmoni me të.