Politikë

I cilësoi socialistët bastardë, Edmond Spaho përjashtohet nga seanca, Balla: Vjen flet këtu pas 7 gotave raki

Deputeti demokrat Edmond Spaho, u përjashtua nga seanca e Kuvendit të ditës së sotme. Shkak për këtë është bërë fraza “bastard” që deputeti iu referua socialistëve.

Kreu i grupi të PS, Taulant Balla u revoltua nga fraza e deputetit demokrat dhe kërkoi mbledhjen e komisionit të disiplinës.

Komisioni, i cili u mblodh pas kërkesës së Ballës mori vendimin që Spaho të përjashtohet për një ditë nga seanca, pra nga seanca e sotme. Gjithashtu, Kuvendi ka vendosur t’i heqë pagën e një dite deputetit Spaho.

“Kjo ka zgjidhje vetëm protestat. Nëse do të vijojmë këtu asgjë nuk do të ndryshojë. Nëse në vendet e tjera do bien çmimet pas gjashtë muajve kjo nuk do të ndodhë. Duhet të ngrihemi në protesta e t’i rrëzojmë. Këto marrin vesh vetëm me këtë gjuhë. Nuk ka gjuhë tjetër që shkon me këta bastardë”, tha Spaho më herët, që solli edhe përjashtimin e tij.

Balla revoltohet me Spahon: Vjen flet këtu pas shtatë gotave raki

“Këta marrin vesh vetëm me gjuhën e forcës. Nuk ka gjuhë tjetër që shkon me këta bastardë”. Kjo frazë e përdorur nga deputeti i PD, Edmond Spaho ka revoltuar kreun e grupit socialist Taulant Balla i cili ka kërkuar ndërprerjen e seancës plenare në Kuvend.

Balla kërkoi që Spaho të kërkonte ndjesë për atë që tha ose në të kundërt duhej të ndërpritej seanca.

“Ti del përjashta dhe nuk vjen. Atë fjalën e fundit bastard, zotëria nuk mund të rrijë në këtë sallë. Të ndërpritet seanca dhe të thirret komisioni përkatës. O bëhet njëri shembull tani. Të vijë njeri pas konsumit të shtatë gotave raki dhe të fyejë në këtë farë feje Kuvendin.

Zoti Noka kam respekt më vjen keq. Zotëria në fund tha një fjalë të rëndë. O e merr fjalën dhe kërkon ndjesë ose zotëria sipas përcaktimit që ka kodi i etikës. Këtu asnjë prej nesh nuk mund të tolerojë. Mendoj që e tha padashje. Nëse e ka thënë me dashje është punë e tij”, tha Balla.

Sakaq, Spaho nuk pranoi të kërkojë ndjesë. “Nuk keni moral ju të më thoni mua të kërkoj falje”, u shpreh ai.

Pas kësaj nënkryetarja Ermonela Felaj ndërpreu seancën dhe njoftoi mbledhjen e komisionit të disiplinës.