Rajoni

I dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, ‘kasapi’ Ratko Mlladiç përfundon në spital!

Ratko Mlladiç, i njohur edhe si “Kasapi i Bosnjës”, është shtruar në spital pasi shëndeti i tij u përkeqësua në burgun e Holandës.

Sipas raportimeve në mediat serbe, i dënuari për krime lufte ndodhet në gjendje kritike për jetën.

“Ai u dërgua në spitalin e burgut për shkak të dobësisë së përgjithshme, inflamacionit të mushkërive dhe ankesave për zemrën. Ndërsa kontrollet vazhdojnë. Ne u informuam se rezultatet për gjendjen e tij shëndetësore do t’i marrim në një moment tjetër, ndoshta të hënë”,  ka thënë djali i tij, Darko Mlladiç, shkruajnë mediat e huaja.

Kujtojmë se gjykatësit e Kombeve të Bashkuara dënuan përfundimisht me burgim të përjetshëm ish-komandantin ushtarak serb, Ratko Mlladiç për organizimin e genocidit dhe mizorive të tjera, gjatë gjithë luftës së Bosnjës 1992-95.

Ish-komandanti serb, Ratko Mlladiç ka humbur kështu apelin e tij kundër një dënimi të vitit 2017 për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Mekanizimi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, mbështeti dënimin e përjetshëm për rolin e tij në vrasjen e rreth 8,000 burrave dhe djemve muslimanë boshnjakë  në Srebrenicë. Mekanizimi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë, është një institucion pasardhës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Në 2017, në gjykimin e shkallës së parë Mlladiç ishte dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë akuzash, përfshirë genocidin në Srebrenicë dhe krime kundër njerëzimit.