Aktualitet

I dënuar për “pedofili” dhe “ngacmim seksual” por rikthehet të japë mësim në shkollën 9-vjeçare/ Skandal me emërimin e mësuesit në Berat.

Një skandal i vërtetë është zbuluar në një nga shkollat 9-vjeçare të qytetit të Beratit, në shkollën “22 Tetori”. Prej disa ditësh në këtë shkollë është emëruar mësues për lëndët e “fizikës” dhe “informatikës” 62-vjeçari Ëngjëll Bregu, që rezulton të jetë dënuar për “pedolifi” dhe “ngacmim seksual” të fëmijëve në vitin 2003.

Kanë qënë pikërisht prindërit e fëmijëve ata që e kanë shpehur këtë shqetësim për mediat,duke kërkuar largimin e mësuesit nga shkolla,largim që i është kërkuar prej tyre edhe drejtorisë së shkollës,e cila u ka dalë me justifikimin se ai është emëruar nga DAR. Vetë nxënësit e shkollës shprehen se, janë në dijeni të asaj çfarë ka bërë mësuesi në të shkuarën dhe kanë frikë prej tij gjatë zhvillimit të orëve të mësimit, pasi-siç shprehet një vajzë-mësuesi i shikon në një mënyrë ndryshe që i bezdis. Nxënësit deklarojnë se,ai u jep fizikë dhe informatikë dhe se ka mbërritur në shkollë prej disa ditësh.

Pas mbërritjes së mediave jashtë ambjenteve të shkollës, mësohet se drejtoresha i ka kërkuar Bregut të largohej si dhe DAR transferimin e tij në një shkollë tjetër.

Në vitin 2003, kanë qënë disa nxënëse të shkollës 9-vjeçare “Uznovë” në Berat, ato që e kanë denoncuar mësuesin e tyre kujdestar Ëngjëll Bregu se gjatë një ekskuesioni në Bogovë ai i kishte prekur në pjesët intime të trupit.

Nxënëset atëherë e cilësuan mësuesin si maniak, pedofil dhe të rrezikshëm. Mësuesi u arrestua dhe u dënua për “pedofili” dhe “ngacmim seksual” nga Gjykata e Beratit me 7-muaj burg, por gjykata nuk ja hoqi asokohe të drejtën e rikthimit në detyrë edhe pse u kërkua nga prokuroria. Pas kryerjes së dënimit, ai u rikthye në detyrë në vitin 2004 në një shkollë 9-vjeçare në fshatin “Hinkë” më Dimal dhe një muaj më pas u transferua në shkollën 9-vjeçare të fshatit “Çiflik”, po në bashkinë Dimal, për të qënë më afër shtëpisë.

Në 25 Prill 2009 ai është akuzuar sërish nga 13 prindër se ka ngacmuar seksualisht fëmijët e tyre në këtë shkollë. Prindërit dërguan asokohe një peticion në Drejtorinë Arsimore Berat, ku kanë shpjeguar sjelljet jo të hijshme të mësuesit. Prindërit e akuzonin mësuesin Ëngjëll Bregu se vinte i dehur në shkollë, se organizonte ekskursione pa miratimin e drejtorisë së shkollës dhe se i prekte vajzat e mitura në pjesë të ndryshme të trupit. Pas këtij peticioni, DAR Berat e pezulloi atë nga detyra por për shkak se denoncimi nuk u bë në polici, Bregu nuk u arrestua sërish.

Pas 13 vjetësh i larguar nga sistemi arsimor, me një vendim që nuk dihet se nga kush është firmosur, mësuesi Ëngjëll Bregu, u rikthye në arsim dhe prej 1-jave është emëruar në shkollën 9-vjeçare “22 Tetori”, në qendër të qytetit të Beratit.