Aktualitet

I ftohti arktik “mbërthen” Shqipërinë. ARRSH apelon për kujdes!

Temperaturat e ulëta të shoqëruara me reshje bore në Verilindje e Juglindje të vendit kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve në këto zona të Shqipërisë. Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi sot se në aksin Ura e Zapodit-Shishtavec ka pasur reshje bore shoqëruar me erë të fortë. Për pastrimin e dëborës u punua dhe qarkullimi kryhet pa zinxhirë. Sipas ARRSH-së, drejtuesit duhet të bëjnë kujdes gjatë udhëtimit, sidomos natën e në orët e para të mëngjesit, të respektojnë sinjalistikën, të reduktojnë shpejtësinë dhe të pajisen me goma dimërore.

Era e fortë ka sjellë probleme në furnizimin me energji elektrike në disa fshatra të Lezhës ndërsa nga ekipet e OSSH-së po punohet për riparimin e avarive. Nga dëmtimi i shtyllave, pati ndërprerje në Zejmen e Kolsh. Pa energji elektrike mbetën edhe disa fshatra në qarkun e Korçës, po si rezultat i pasojave të motit.

Sipas shërbimit MeteoAlb, i ftohti arktik që ka goditur rajonin e Ballkanit, po bën që edhe Shqipëria të jetë nën ndikimin e motit të kthjellët, por të acartë. Pritet që orët në vijim të mbeten nën dominimin e masave të ftohta artike duke diktuar mot me diell e me temperatura që variojnë nga -4 në 12 gradë celcius. Në tokë e në det, era fryn mesatare, me shpejtësi 45 km/h nga drejtimi verilindor. Kjo bën që në brigjet detare të gjenerohet dallgëzim 3 ballë.

Edhe nesër, moti i kthjellët dhe i ftohtë do të dominojë në të gjithë territorin e vendit. Në zonat malore përgjatë shtrirjes lindore priten kalime vranësirash ndërsa nga era e ftohtë verilindore, i ftohti pritet të bëhet më i ndjeshëm. Të enjten e 13 janarit, temperaturat ulen ndjeshëm në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga -8°C në 10°C. Era do të fryjë mesatare deri e fortë me shpejtësi 50 km/h nga drejtimi permanent verilindor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim mbi 4 ballë.