Aktualitet

I ftohti polar, ngrica e paralajmërime për kujdes!

Vendi ynë mbetet nën ndikimin e të ftohtit polar duke sjellë mot, kryesisht të qëndrueshëm. Me përjashtim të vranësirave kalimtare në veri e verilindje, në pjesën tjetër të territorit dominojnë kthjellimet. Për shkak të temperaturave të ulëta, në vlera negative, në rrugë ka ngrica. Ndërkaq, ato variojnë nga minus 12 në 8 gradë celcius.

Aktualisht qarkullohet me zinxhirë në rrugën e Arbrit, qarku Dibër. Eshtë i bllokuar aksi Peshkopi-Lurë, por lëvizet në Lurë-Rrëshen e Xibër-Klos me zinxhirë. Nga grupet e OSHEE-së u punua për kthimin e energjisë në njësitë Kala e Dodës, Reç, Lurë, Selishtë të bashkisë Dibër si dhe në fidrin 6, njësia administrative Lunik e Librazhdit. Për shkak se do të vazhdojë rënia e temperaturave, Ministria e Mbrojtjes iu bën thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre në zonat e thella malore të njoftojnë autoritetet vendore në rast nevoje.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve, Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit që të shmangin lëvizjet e panevojshme, kryesisht në zona malore ku ka prezencë të dëborës, ngricës e akullit. Po ashtu, të vendosin gomat dimërore, të kenë me vete zinxhirët, të mos qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara e të ruajnë distancën gjatë lëvizjes.

Në akset kombëtare, qarkullimi i automjeteve kryhet normalisht. Ekipet e mirëmbajtjes së rrugëve janë në terren dhe vazhdon puna me shpërndarjen e kripës për të shmangur ngricat. Punohet me mjetet borëpastruese për pastrimin e rrugës dhe shpërndarjen e kripës, për të parandaluar bllokimin e trafikut.

Si pasojë e temperaturave të ulëta ditët në vijim, Ujësjellës Kanalizime Tiranë, UKT njofton qytetarët për marrjen e disa masave parandaluese, me qëllim mbrojtjen e sistemit të brendshëm të rrjetit ujësjellës. Këtu përfshihen edhe matësat e ujit, për të mos u dëmtuar si pasojë e kushteve atmosferike.

Në katet përdhese, ku tubacionet e furnizimit me ujë janë më shumë të ekspozuara me ambientin jashtë dhe mundësitë e rrjedhjes janë potenciale, duhen marrë masa duke i mbuluar apo izoluar, për një mbrojtje optimale.