Aktualitet Rajoni

I jepet “OK” lëvizjes pa viza në Ballkan, si dhe njohjes së diplomave e kualifikimeve!

Kryeministrat e Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut e Serbisë, nënshkruan tre marrëveshje për udhëtimin pa viza mes tyre, si dhe njohjen reciproke të diplomave universitare e të kualifikimeve profesionale. Siglimi u bë në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit që po zhvillohet në kryeqytetin gjerman. Mikpritësi Olaf Scholz deklaroi:

Sot jemi të bindur se Procesi i Berlinit, jo vetëm që do të ndihmojë për shfrytëzimin e potencialit të plotë të bashkëpunimit rajonal, por do ta përshpejtojë anëtarësimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Eshtë koha të tejkalohen konfliktet rajonale që kanë vazhduar shumë gjatë, konflikte që ju ndajnë juve dhe i mbajnë pas vendet tuaja në rrugën europiane. Procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, në veçanti duhet të përshpejtohet, kështu që ejani ta bëjmë këtë!

Përveç bashkëpunimit rajonal, Scholz theksoi se “sfidat nga emigrimi i parregullt, korrupsioni e krimi i organizuar janë çështje kyçe për të gjithë”, ndërsa shtoi se “vendet ballkanike duhet t’i harmonizojnë politikat e vizave me Bashkimin Europian”.

E pranishme në Berlin, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e vuri theksin te mbështetja për energjinë elektrike që Bashkimi Europian ka ndarë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Jemi këtu për ta thelluar integrimin ekonomik, duke nisur me energjinë. Paketa për Mbështetjen Energjike prej një milard eurosh për Ballkanin Perëndimor do të na ndihmojë ta formësojmë të ardhmen tonë të përbashkët në sektorin e energjisë.

Liderët e vendeve të rajonit e shfrytëzuan praninë në Berlin për takime me pjesëmarrësit në samit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi kryediplomatin europian, Josep Borrell e të dërguarin e Unionit për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në Twitter, Borrell shkroi se gjatë takimit me Kurtin u diskutua për situatën në veri të Kosovës e bëri thirrje të respektohen marrëveshjet e arritura në dialog.

E diskutuam situatën në veri të Kosovës. Veprimet përçarëse, si djegia e makinave, janë të papranueshme. Marrëveshjet e dialogut duhet të respektohen! Ftojmë të gjithë të jenë të përmbajtur në veprime! Ne, gjithashtu, diskutuam për rrugën përpara për normalizimin.