Bota

I ka mbijetuar urisë dhe Hitlerit/E moshuara ukrainase shprehet se do t’i rezistojë edhe “xhuxhit” Putin!

Për të gjashtën ditë me radhë sirenat e alarmit kanë rënë mëngjesin e kësaj të marte për ukrainasit. Përveç Kievit, alarmet kanë rënë në qytetet perëndimore të Ternopil, Vinnytsia, Rivne, si dhe qytetet qendrore të Cherkasy dhe Kropyvnytskyi. Sipas ‘BBC’ autoritetet ukrainase kanë konfirmuar vdekjen e 70 ushtarëve të saj vrarë në një sulm të artilerisë ruse në qytetin verilindor të Okhtyrka.

Forcat ruse sot kanë rrethuar qendrën rajonale të Khersonit në Ukrainën jugore. Ndërkohë, trupat ruse thuhet se po përparojnë drejt kryeqytetit. Imazhet satelitore shfaqin pamjet e autokolonave me tanket ruse që po mësyjnë Kievin. Rusia thuhet se ka përdorur një armë të ndaluar termobarike gjatë luftimeve në Ukrainë ditën e djeshme. Kështu është shprehur ambasadorja ukrainase në SHBA para ligjvënësve amerikanë në një konferencë për mediat.

Nddërkaq, në mediat ukrainase qarkullon së fundmi një foto e një gruaje të moshuar e cila mban një tabelë në dorë. Në të shkruhet sipas raportimeve se ajo i ka mbijetuar “Holdomorit” i cili njihet ndryshe edhe si “Uria e madhe” në Ukrainën sovjetike. Ishte një zi buke që vrau miliona ukrainas në vitet 1932-1933. Më tej e moshuara shkruan se i ka mbijetuar gjithashtu edhe Hitlerit bashkë me Gjermaninë naziste. Në fund ajo shprehet se gjithashtu do t’i rezistojë edhe “xhuxhit” Putin dhe “bastardëve” të tij.

Rikujtojmë se ‘Warner Bros’, ‘Disney’ dhe ‘Sony’ kanë ndaluar shfaqjen e filmave të tyre në kinematë ruse pas pushtimit në Ukrainë. Këto njoftime nënkuptojnë se premierat e filmave si, ‘The Batman’, ‘Turning Red’ dhe ‘Morbius’ nuk do të shfaqen siç ishte planifikuar. Ky vendim vjen teksa qeveritë në shumë vende të botës kanë shtuar sanksionet kundër Moskës.