Aktualitet

I vihet flaka garazhit dhe makinës së kandidatit socialist për Hasin!

Gjatë natës iu vu flaka garazhit dhe makinës në pronësi të kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë e Hasit, Beqir Mulaj. Sipas informacioneve, automjeti ishte i parkuar brenda garazhit në aksin rrugor “Krumë-Golaj”. Dyshimet e para janë për zjarrvënie të qëllimshme, por priten hetimet e mëtejshme për të zbardhur dinamikën e ngjarjes dhe zbulimin e autorit apo autorëve. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, vijon veprimet, me qëllim përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Pas ngjarjes pati një reagim nga Beqir Mulaj, i cili në një deklaratë për mediat vuri në dukje se nuk ka konflikte dhe fushatën zgjedhore e përshkroi si “të qetë”. Kandidati socialist u shpreh se nuk do të drejtojë gishtin te askush, por pret ekspertizën e policisë. Ai u shpreh se nuk beson se djegia e makinës ka të bëjë me fushatën elektorale.

Ky zjarr përkon me fushatën elektorale. Në cilësinë e kandidatit për kryetar bashkie, unë nuk kam koment se nuk dua ta besoj, ta dyshoj apo keqpërdor. Por të jem shumë i sinqertë, policia ka ardhur. U bë praktika e duhur dhe do të pres me qetësi ekespertizën. Uroj që të mos ketë dorë njeriu! Dua të jem shumë korrekt, nuk dua ta përdor dhe as mendja nuk më shkon atje. Gjithsesi i besoj organeve kompetente. Nuk kam asnjë konflikt. Edhe fushatën jam munduar ta bëj në mënyrë të qetë, qytetare, larg ngatërresave e zhurmës.

Ende nuk dihen arsyet se përse mund t’i jetë vënë flaka automjetit limuzinë të kandidatit socialist për Hasin. Grupi hetimor po vëzhgon kamerat e sigurisë për të zbardhur dinamikën e ngjarjes.

Beqir Mulaj është kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Hasit. Ai u fut në garë, pasi socialistët nuk rikandiduan kryebashkiakun aktual Liman Morina. Ndërkohë, kundërshtari i tij në këtë garë është Miftar Dauti, nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë”.