Rajoni

I vihet flaka një spitali COVID-i në Selanik, 20 të intubuar nuk arritën të dilnin!

Ngjarje e rëndë në një spital të Selanikut në Greqi, një pacient me COVID-19 i vuri flakën dhomës ku trajtohej e më pas humbi jetën. Tymi i dendur përfshiu të gjithë godinën 3-katëshe.

Zjarri u lokalizua, por ende nuk dihet fati i 20 pacientëve, të cilët ishin në intubim në spitalin Papanikolaou. Pjesa më e madhe e të sëmurëve me koronavirus dhe personelit shëndetësor u evakuan. Në vendgjarje shkuan 30 zjarrfikës me 11 mjete zjarrfikëse.

Prej fillimit të pandemisë, Greqia ka regjistruar 3.1 milion raste dhe 27 mijë e 816 vdekje. Nga popullsia prej 11 milion banorësh, rreth 72 për qind janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit. Nga nesër, vendi fqinj do të ofrojë mundësinë e marrjes së dozës së katërt të vaksinës kundër koronavirusit për personat mbi 60-vjeç, katër muaj pas asaj përforcuese.

Zyrtarët shëndetësorë grekë thanë se ky vendim për të ofruar dozën e katërt të vaksinave të prodhuara me teknologjinë mRNA, vjen pasi infektimet në Greqi janë ende në nivele të larta. Sipas tyre, “doza përforcuese është konfirmuar si efektive në parandalimin e vdekjeve të lidhura me sëmundjen COVID-19”.

Një ditë më parë, në Greqi u raportuan rreth 19 mijë infektime e 70 fatalitete nga koronavirusi.