Vetëm pesë ditë pas arrestimit të noterit Aleko Anagnosti për tjetërsim pronash në Sarandë, digjet zyra e tij. Gjatë natës, persona të paidentifikuar hapën forcërisht derën kryesore dhe i vunë flakën dokumenteve. Kjo vjen pasi Anagnosti është në “Arrest me burg” për 45 ditë derisa prokuroria të çojë prova të tjera në gjykatë për tjetërsimin e pronave në Sarandë. Në skemën abuzive janë përfshirë dhe zyrtarë e biznesmenë të tjerë.
Pas hetimeve për tjetërsimin e pronës shtetërore, Prokuroria e Sarandës ka sekuestruar sipërfaqen e tokës prej 10 mijë 230 m2, në Turizëm-Kanal i Çukës Sarandë, në afërsi të vijës bregdetare. Nën hetim janë 10 persona, të dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Pastrimi i parave”. Ata janë nëpunës shtetërorë, biznesmenë e shtetas të tjerë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, në kuader të procedimit penal Nr. 605 të vitit 2020, pas zbatimit të urdhërave të ndalimit, ka kërkuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqesor Sarandë caktimin e masës së sekuestros preventive në lidhje me pasuritë objekt hetimi, të cilat dyshohet se jane regjistruar në Agjensinë Shtetërore të Kadastrës Sarandë mbi bazën e dokumentave të falsifikuara.
Gjykata e Rrethit Gjyqesor Sarandë me vendimin Nr.50 dt. 02.06.2022, ka vendosur caktimin e masës së sekuestros preventive për një siperfaqe toke prej 10 230 m2, ndodhur në Turizëm-Kanal i Çukës, në afërsi të vijës bregdetare.
Në vazhdim, organi i akuzës po vijon punën për vleftësimin në gjykatë të urdhërave të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë për 10 persona të dyshuar për veprat penale “shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, ‘falsifikimi i dokumenteve’ parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal. Në këtë veprimtari dyshohet se janë të përfshirë nënpunës shtetërorë, biznesmenë dhe shtetas të tjerë.
Në kërkim janë dy biznesmenët Behar dhe Bedri Muçobega, 40 e 51-vjeç, si edhe Ardian Kola, drejtues i ASHK-së Sarandë për periudhën maj 2019-korrik 2020. Kola ka qenë edhe kryetar i degës së Partisë Socialiste në Sarandë në vitet maj 2018-tetor 2020. Në pranga ranë drejtori i Urbanistikës së Bashkisë Sarandë, Pandi Zhoga, punonjësja e Urbanistikës, Rovena Aliaj dhe noteri Aleko Anagnosti. Prokuroria e Sarandës nxori rreth 10 urdhër-arreste për punonjësit në bashkinë dhe kadastrën e qytetit, “Për shpërdorim detyre”. Kujtojmë se Kadastra është institucioni shtetëror me më shumë kallëzime penale e civile në prokurori e gjykata. Njohja e pronësisë së tokave rezulton mes problemeve kryesore për shqiptarët.