Aktualitet

I zhdukur prej rreth 5 muajsh, specialet zbarkojnë në shtëpinë e Ervis Martinajt!

Kontrolle në shtëpinë e Ervis Martinajt në Fushë Kuqe të Kurbinit nga RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, FNSH. Mësohet se me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, efektivët zbarkuan aty që në orët e para të mëngjesit, në kuadër të dosjes hetimore “Plumbi i artë”. Bosi i lojërave të fatit rezulton i zhdukur prej 9 gushtit, pas dëshmisë së bujshme të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, ndërsa u shpall në kërkim nga SPAK.

Kujtojmë se efektivi i Policisë, Jeton Lami është lënë në burg me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi u zbulua se kishte ndihmuar Ervis Martinajn, para se të zhdukej pa lënë gjurmë në verën e këtij viti. “Hetimet për zhdukjen e të shumëkërkuarit janë në rrugë të mbarë”, –  ishte deklarata e fundit e kreut të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku lidhur me çështjen.

Arrestimi i vrasësit me pagesë, Nuredin Dumani nxori në dritë kërcënime serioze që i kanoseshin ish-anëtarit të Bandës së Durrësit, Indrit Dokle. Sipas Dumanit, Martinaj i premtoi 500 mijë euro nëse eliminonte Doklen. Pas publikimit të dëshmisë së Dumanit, në vend ndodhën krime ku u eliminuan njerëz të Martinajt, përfshirë kushëririn e tij, Brilant Martinaj e ndër të dyshuarit ishte Indrit Dokle, por për të, policia ende nuk ka prova.

Policia dyshon se Ervis Martinaj shkoi në Shijak për të lidhur aleancë me një grup të fuqishëm të zonës. Disa burime të ndryshme informacioni mbështesin pistën se aty mund të jetë shitur te grupet rivale. Këto dyshime mbështeten edhe në transkriptet e bisedave mes personazheve të botës së krimit që disponohen nga autoritetet ligjzbatuese të publikuara në Inside Story.

Një prej personave më të njohur të botës së krimit në vend, i cilësuar ndër më të rrezikshmit në Tiranë, Ervis Martinaj akuzohet për vrasje dhe dyshohet për disa ngjarje të rënda që kanë tronditur vendin./Top Channel