Bota

IDEA: “Demokracia po përkeqësohet!”

“Demokracia po përkeqësohet në gjithë botën, me shtetet që po ndërmarrin veprime jodemokratike dhe të panevojshme për të mbajtur nën kontroll pandeminë”. Kjo theksohet në një raport të publikuar sot nga Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Ndihmë Zgjedhore (IDEA).

Shumë qeveri demokratike janë duke u kthyer pas!

Në raport thuhet se deri në gusht të vitit 2021, 64 për qind e shteteve kanë ndërmarrë masa kundër pandemisë COVID-19, që janë konsideruar si “joproporcionale, të panevojshme apo joligjore”. Organizata me seli në Suedi, tha se situata po përkeqësohet në shtetet që nuk janë demokratike.

Regjimet autokratike janë bërë edhe “më të pacipa në represionin e tyre”, liria e shprehjes u kufizua dhe sundimi i ligjit është dobësuar.

Sipas IDEA-s, numri i demokracive që kanë shënuar regres është dyfishuar në dekadën e fundit dhe veçanërisht përmenden Shtetet e Bashkuara, Hungaria, Polonia e Sllovenia.

Kjo është koha që demokracitë të jenë të guximshme, inovative e të rigjallojnë veten. Në përgjithësi, numri i shteteve që lëvizën drejt autoritarizmit më 2020 tejkaloi atë të vendeve që po shkonin në një drejtim demokratik. Në dy vjetët e fundit, bota ka humbur të paktën katër demokraci përmes zgjedhjeve apo puçeve ushtarake.

Në raport thuhet se në mbi 80 shtete ka pasur protesta apo veprime të shoqërisë civile gjatë pandemisë, për shkak të masave të ashpra të qeverisë. Megjithatë, lëvizjet pro-demokracisë janë përballur me represion në Bjellorusi, Kubë, Mianmar e Sudan.

Sa i përket Europës, në shtetet ku demokracia ishte në rrezik, pandemia u përdor si arsyetim nga qeveritë për ta dobësuar edhe më tej. Qeveritë jodemokratike të Europës që sipas raportit janë e Azerbajxhanit, Rusisë dhe Turqisë, kanë shtuar praktikat e tyre represive.

Në raportin e IDEA-s gjithashtu thuhet se ka pasur rënie të demokracisë në Bolivi, Brazil, Kolumbi, El Salvador dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.