Bota

“IKEA” dhe sistemi i saj i spiunazhit…

Në Versajë u hap një seancë gjyqësore kundër degës franceze të gjigantit suedez të mobiljeve, IKEA, e akuzuar për krijimin e një sistemi të paligjshëm të mbikëqyrjes së punonjësve të saj, veçanërisht të sindikalistëve. Paméla Tabardel, zëvendës/prokurore publike e Versajës, po kërkon një gjobë prej 2 milion eurosh kundër IKEA-s Francë, burg për të paktën një vit për dy ish-zyrtarë të kompanisë dhe një hetues privat, dhe gjobat për disa menaxherë dyqanesh dhe oficerë policie.

Në total, akuzohen 15 persona. Një vendim nga një panel gjykatësish pritet më 15 qershor.  Tabardel tha se:

IKEA Francë mbikqyri në mënyrë të paligjshme të paktën 400 njerëz dhe përdori informacionin në avantazhin e saj.

Por avokati, Emmanuel Daoud, kërkoi që të hidhen poshtë akuzat duke mohuar kategorikisht ekzistencën e monitorimit masiv në dyqanet e IKEA-s Francë. Gishtin e akuzës e drejtoi për nga Jean-François Paris, shefi i njësisë franceze për menaxhimin e rrezikut, për të cilën u shpreh se ka vepruar i vetëm, pa dijeninë e drejtuesve të lartë të IKEA-s.

Por, Paris nuk e pranon këtë pretendim:

Ky nuk ishte një hap personal, por një sistem i vendosur me kërkesë të drejtuesve të IKEA. Kompania u tregua frikacake duke e hedhur fajin mbi mua. 

Por “Ping-Pong”-u vazhdon. Një avokat i Jean-Louis Baillot, ish-shef ekzekutiv gjithashtu i akuzuar në këtë çështje, mohoi që klienti i tij të ketë qenë në dijeni të ndonjë veprimtarie spinuazhi. Sipas tij, Baillot u shkarkua padrejtësisht.

Ndërkaq, mbrojtja e të përgjuarve këmbëngul se operacioni është zhvilluar në dy drejtime: verifikimin e atyre që aplikonin për punë si dhe të punonjësve të IKEA-s Francë pa dijeninë e tyre dhe një tjetër që shënjestronte liderët dhe anëtaret e sindikatës.

Madje, disa nga drejtuesit shkuan deri aty sa bashkëpunuan me policë francezë për të patur akses në të dhëna zyrtare nëse personat për të cilët kishin kërkuar informacion kanë patur dënime për vjedhje, përdorim droge apo krime të tjera. Ata që rezultonin jo “të pastër”, nuk punësoheshin.

IKEA Francë akuzohet se gjeti mbështetje te sistemi i spiunazhit edhe për të shmangur grevat e punonjësve që iu shkaktonin miliona euro humbje.