Aktualitet

Ikën Erdogan, të gjitha rrugët të hapura, Policia e Shtetit: Nuk ka pasur asnjë incident

Presidenti turk, Erdogan, është larguar nga Shqipëria. Policia e Shtetit përmes një njoftimi për mediat, bën me dije se falë masave të shtuara të shërbimeve policore dhe të Gardës së Republikës, vizita e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në vendin tonë ka përfunduar pa asnjë incident dhe tashmë të gjitha rrugët janë të hapura. Ndër të tjera Policia e Shtetit falenderon shoferët dhe qytetarët për bashkëpunimin.

Njoftimi i Policisë

Falë masave të shtuara, profesionalizmit të shërbimeve policore dhe të Gardës së Republikës, si dhe qytetarisë së treguar nga përdoruesit e rrugës, ka përfunduar pa asnjë incident, vizita e presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdogan. Policia e Shtetit falënderon të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët, për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin që treguan duke iu përgjigjur thirrjes së bërë nga Policia, dhe për zbatimin me korrektësi të udhëzimeve policore.

Ndërkaq Zëri i Amerikës ka shkruar për vizitën e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në vendin tonë dhe të gjithë axhendën e tij, nga përurimi i 522 apartamenteve në Laç, tek takimi me Ramën në kryeministri dhe nënshkrimi i marrëveshjeve. Në shkrimin e Zërit të Amerikës vihet re theksi që ka vënë tek fakti se presidenti turk Erdogan nuk kishte në axhendë një takim me presidentin Ilir Meta.

I pyetur nga Zëri Amerikës për koincidencën e vizitës së presidentit turk, në datën e vdekjes së Skënderbeut dhe nëse një koincidencë e tillë përbënte ose jo problem, zëdhënësi i Qeverisë Endri Fuga e cilësoi pyetjen “në rastin më të mirë -të pakujdesshme- dhe në rastin më të keq -provokuese-, sepse nuk ka asnjë lidhje mes Republikës së Turqisë dhe rrethimeve të Krujës apo mes qëndresës së Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut dhe Turqisë së sotme, e cila është anëtare e NATO-s, vend partner strategjik i Shqipërisë dhe mik i mirë në ditë të vështira, siç e tregoi edhe mbështetja e paçmuar për rimëkëmbjen pas tragjedisë së tërmetit. Prandaj problem në këtë rast nuk përbën vizita e Presidentit të Republikës së Turqisë, po lidhje të tilla krejt pa lidhje, të cilat padashje nxisin urrejtje mes popujve”, – u shpreh Fuga.