Aktualitet Politikë

Ilir Meta rikthehet në LSI/Meta: Nuk marr drejtimin e partisë!

Një ditë pasi la Presidencën, në përfundim të mandatit presidencial 5-vjeçar, Ilir Meta rikthehet në Lëvizjen Socialiste për Integrim, LSI ku sot rimori teserën e partisë dhe bëri të qartë se nuk është aty për të marrë drejtimin e kësaj force politike.

Do të bashkëpunoj me çdo shqiptar të ndershëm, patriot dhe demokrat, i cili kërkon të triumfojë sovraniteti i nëpërkëmbur i popullit të Shqipërisë, pa  asnjë diskutim.

I pyetur nëse do të përpiqet të bëhet njëshi në opozitë, Ilir Meta tha:

Nuk jam në garë as me Berishën dhe nuk kam qenë në garë as me Lulushin. Kam që më 2 mars që i pres të gjithë të bashkohen, për t’i dhënë fuqinë popullit shqiptar.  Shqipërinë nuk e ndryshon dot as Ilir Meta, as Sali Berisha dhe askush tjetër. Shqipërinë e ndryshon vetëm Referendumi!

Referendumi është primarja e primareve dhe i duartrokas edhe primaret që ka sjellë z. Berisha si një risi shumë pozitive, por tani Referendumi është vetë Shqipëria sepse është vënë në pikëpyetje ekzistenca e shtetit, ekzistenca e së ardhmes së këtij vendi dhe kjo do të marrë fund!

Çdo shqiptar të krijojë besimin se është ai zot i këtij vendi dhe të gjithë politikanët do t’i nënshtrohen qytetarit, vullnetit të tij e do të kenë respekt për votën e do të mendohen mirë kur të japin premtime.

Kam një pushtet të jashtëzakonshëm. E kam të vështirë të dal në rrugë sepse mund të vonohem me orë të tëra për në takime dhe pushteti më i madh që dua t’i jap vetes është triumfi i partisë së Referendumit. Ua kam lënë të gjithëve të gjitha bashkitë, që nga Tirana, Shkodra e Skrapari. Ua kam lënë edhe të gjithë qeveritë, unë dua vetëm referendumin. Për këtë jam angazhuar nga sot e deri sa ta arrij e këtë, unë do ta arrij shumë shpejt!