Aktualitet

Importet e karburanteve ranë me 8% në tremujorin e fundit 2022, por INSTAT thotë se konsumi u rrit me 4.7%

Të dhënat e INSTAT tregojnë se sasitë e shitjes më pakicë të hidrokarbureve u ritën me 4.7% në tremujorin e fundit të vitit 2022, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas INSTAT, konsumi i karburanteve ka rezultuar me rritje përgjatë të gjithë tremujorëve të këtij viti (shiko grafikun: ndryshimi vjetor i indeksit të shitjeve neto në tregtinë me pakicë të Hidrokarbureve).

Në kontrast, përgjatë gjithë vitit 2022 importet e karburanteve në sasi kanë rezultuar në rënie. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në tremujorin e fundit 2022, importet e karburantit kanë pësuar ulje vjetore me 8%.

Importet e karburanteve vitin e kaluar kanë shënuar rënie vjetore me rreth 9 %, por nga ana tjetër të dhënat nga tregtia me pakicë tregojnë sistematikisht se volumet e shitjeve në vitin 2022 kanë qenë sistematikisht me rritje në krahasim me 2021. Të dhënat e INSTAT tregojnë se volumet e shitjes me pakicë të hidrokarbureve në tremujorin e parë 2022 pësuan rritje vjetore me 4.2%, në tremujorin e dytë me 5.2%, në tretin me 3.9% dhe në të katërtin me 4.7%.

Mesatarisht shitjet me pakicë janë rritur me rreth 4.5% gjatë vitit 2022, por importet e naftës të raportuara zyrtarisht kanë rënë me rreth 9%. INSTAT raportoi sot se tregtia me pakicë ka pësuar rritje pavarësisht krizës dhe rënies së importeve. Shitjet në volum në tregtinë me pakicë janë rritur 3,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht është rritur 0,9%. Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur 4,5%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021. Volumi i shitjeve, për grupin “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur 3,4%, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.

Në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve është rritur me 4,7%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021. Në krahasim me tremujorin e tretë 2022 volumi i shitjeve me pakicë i përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, është rritur me 0,5%, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, është rritur me 0,8% krahasuar me tremujorin paraardhës. Volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në tregtinë me pakicë, për grupin “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur me 0,9%, kundrejt tremujorit të mëparshëm. Në grupin “Tregti me pakicë hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve, i përshtatur sezonalisht, ka pësuar rënie me 0,8%, kundrejt tremujorit të tretë 2022./Monitor