Film & Tv

“In the mood for Love”, meqë ishim te Donaldi dhe Bora… një histori dashurie që i mbijeton dekadave. Kritikë.

Sensual dhe shkatërrimtar në një masë të njëjtë, “In the mood for Love” nga Wong Kar-Wai kap vetminë e dëshirës së papërmbushur më mirë se thuajse të gjithë filmat e realizuar ndonjëherë. Vizualisht i mrekullueshëm, me një kuadër fiksues (kornizë brenda kornizës) dhe slow-motion-in evokues, filmi përshkruan aq bukur ndjesinë e të rënit në dashuri papritmas dhe ndjesinë gërryese të mos konsumimit të kësaj dashurie. Sa shumë ndjesi përmes përsëritjeve të kujdesshme të së njëjtës temë në një lloj loop-e; tradhëtia, zemërthyerja, vuajtja pa një skemë të caktuar. “In the mood for love” është instiktiv dhe intuitiv, me një ndjenjë të butë e të vazhdueshme në përjetësi. Një histori dashurie për vetë dashurinë… e cila qëndron në mendjen e atij që prek shumë më gjatë se vetë marrëdhënia.

I vendosur në Honk Kong-un e 1962, Chow Mo-wan (Tony Leung) dhe Su Li-zhen (Maggie Cheung) shpërngulen në të njëjtën ditë në një pallat klaustrofobik në apartamentet ngjitur. Të dy kanë bashkëshortë që punojnë me orë të zgjatura, shpesh janë vetëm. Hasen nëpër korridoret e ngushta, rrugët e mbipopulluara ku marrin ushqimin. Të dy besojnë se bashkëshortët respektivë kanë një marrëdhënie jashtë-martesore. Vetëm pas një darke së bashku kuptojnë se në fakt, gruaja e Chow dhe burri i Su janë në një lidhje me njëri tjetrin, që i lë ata në fillimin e një rruge të një marrëdhenieje platonike, duke provuar në një lloj loje sfilitëse si do i ballafaqojnë partnerët e tyre me zbulimin e ri. Kjo rrugë do i çojë ata drejt ndjenjave të forta për njëri tjetrin, dhe luftës me parimet e tyre për të mos rënë pre e këtyre ndjenjave. Parimet dhe normat shoqërore mbajnë larg dy njerëz që duhet të rrinë me njëri-tjetrin.

Gjëja e parë që vihet re nga “In the mood for Love” është ritmi, shumë i durueshëm. Kamera e Kar-Wait është e tillë si për të kapur momente të pa-rrëfyera të lidhjes së tyre përpara së të eci shpejt përpara, duke ngadalësuar dhe shpejtuar njësoj si vrulli i një kali vrapues përpara një pengese të pakalueshme. Ajo që nis si një hakmarrje për bashkëshortët e tyre tradhëtarë shpejt kthehet në diçka të thellë e të avashtë, një marrëdhënie e komplikuar, linçuese. Montazhi  i skenave të lojës mes tyre sjell aq bukur ndjesinë e lartë të intimitetit dhe kimisë së dy njerzve që po bëjnë gjithçka, me çdo qelizë të trupit të mos bëhen si dy bashkëshortët e tyre. Jump-cut-et e përdorura janë aty për të na treguar se ne e dimë përfundimin përpara se aktorët ta luajnë atë pjesë, ne jemi personazhet në këtë film.  Sikur një moment të heqësh syrin nga ekrani është e sigurt që do të humbasësh diçka.

Wong Kar-Wai Makes First NFT From Unseen 'In the Mood for Love' Shoots - Variety

Teknikat e përdorura nga Wong në film sintetizojnë bukuri të pamasë dhe terror në të njëjtën kohë. Leitmotivi i ‘Yumeji’s Theme’ kompozuar nga Seijun Suzuki për filmin me të njëjtin titull të 1991, shpreh po aq vetminë e tyre sa dëshirën e madhe për njëri tjetrin në skena të thjeshta si ajo kur Chow apo Su hanë vetëm, disa prej momenteve më prekëse të filmit. Burgu i dashurisë së dy personazheve personifikohet mrekullisht në interpretimin e dy protagonistëve në një gosti vizuale në slow-motion. Përdorimi i të kuqes së flaktë dhe të zezës së errët në fotografi është sinonim i pasionit të zjarrtë dhe hijes në të cilën ky duhet të fshihet. Drejtorët e fotografisë Christopher Doyle dhe Mark Lee Ping Bin krijojnë një botë plot sfumatura sekretesh te cilat po vdesin të shpërthejnë si krateri i një vullkani që gëlon.

Akti i fundit i “In the Mood for Love” (2000) i vë kapakun çdo lloj përpjekjeje për ta bërë atë një klishe me fund të lumtur. Regjisori preferon katarsisin e dy njerzve që rrefuzojnë të bien pre e dashurisë së tyre të pamundur. Chow shkon në Singapore pasi e kupton se ai dhe Su nuk do të mund t’i përkasin kurrë njëri tjetrit. Su shkon aty, e gatshme për ta takuar, por nuk mundet. Në apartamentin e tij të boshatisur lë vetëm një bisht cigare të njomur nga e kuqja e flaktë e të kuqit të buzëve të saj. Chow kthehet në Hong Kong për ta takuar, në apartamentin e Su jetojnë tashmë një grua dhe djali i saj. Ai largohet pa e ditur kurrë se ata ishin Su dhe i biri. Magjia e Wong për t’u përqëndruar në të voglën e çiftit po aq në botën përtej tyre është e rrallë. Ne duhet të ngelim me barrën e Chow dhe Su mbi kurriz edhe pasi filmi mbaron, edhe pasi Chow i artikulon për herë të parë e të fundit ndjesitë e tij, një guri në tempullin e Angkor Wat, fjalë të cilat do ngelin aty, në atë të çarë që nuk do të shohë kurrë dritën e diellit, një vrimë që mban dashurinë e paharrueshme të dy njerzve që nuk u puthën, kurrë…